Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bytyqi kërkon nga anëtarët e rinj të KSHC-së të jenë kredibilë në vendimmarrje

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti në takim njoftues anëtarët vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të cilët sot u ratifikuan nga Kuvendi i Kosovës për të ushtruar detyrat dhe përgjegjësitë që kanë në të ardhmen.

Me këtë rast, Bytyqi ka uruar anëtarët e rinj të Bordit të Agjencisë së Kosovës së Akreditimit dhe theksoi se ky akt miratimi i deputetëve është shumë domethënës për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë.

Në këtë takim është diskutuar për thirrjen sa më parë të mbledhjes konstituive në mënyrë që sa më shpejt të zgjidhen organet drejtuese. Po ashtu temë diskutimi ishte takimi Asamblesë së ENKA-s që do të mbahet më 19 prill 2018 në Spanjë dhe rëndësia që ky takim ka për Agjencinë Kosovare të Akreditimit.

Ministri kërkoi nga anëtarët e rinj të KSHC-së që të jenë kredibilë në vendimmarrje për të ndikuar në mënyrë sistematike në ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe imazhin e AKA-së në përgjithësi.

“Ju tashmë keni punë dhe përgjegjësi të mëdha në kryerjen e obligimeve që keni, por krahas kësaj nuk do të mungojë edhe mbështetja e Ministrisë së Arsimit”, tha ministri Bytyqi.