Arbëri

Bylbyli i letërsisë presidenciale

Foto: Koha

Një zhanër i ri po dramatik, po zhvillohet në Kosovë nën cicërimat e @HashimThaciRKS

1.

Më 6 prill të këtij viti presidenti Trump shkroi një cicërimë në Twitter me një fjali të shkurtër: “DRITË NË FUND TË TUNELIT!”.

Qe e vështirë të kuptohet thjeshtësia e saj. Atë ditë në SHBA ishin mbi 330 mijë të infektuar prej koronavirusit. Sot, katër ditë më vonë, janë 470 mijë të infektuar. Tuneli i quajtur kriza COVID-19 vetëm sa u zgjat në këto katër ditë dhe nuk pati ndonjë lajm se do të shkurtohet. Në shtatë ditët e kaluara gjashtë milionë amerikanë kanë mbetur pa punë; në tri javët e fundit 16 milionë sish. Edhe sa i gjatë do të ishte tuneli, ku ishte drita që po e shihte presidenti? Përse u shkrua cicërima me shkronja të mëdha, që në gjuhën e Twitterit e Facebookut është e barasvlershme me britmë?

Për shumë njerëz që e përcjellin në Twitter, ishte një shkas më shumë për ta kritikuar, për një numër sish ishte edhe një shtytje për ta sharë. Një numër shumë i vogël e lëvdoi. Brenda këtij numri të vogël u spikat llogaria e Twitterit e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili, duke vënë në përdorim një idiomë anglo-saksone për të treguar se i qëndron besnik fjalë për fjale deklarimit të zotit Trump, cicëroi:

“Nuk mund të pajtohesha më shumë! Së bashku do t’ia dalim!”.

Më interesoi ky këmbim në cicërimë për shkak se, më shumë sesa një shprehje e solidaritetit dhe e përkrahjes - fine a jo, mbetet punë shijesh - është hyrje interesante në një relacion letrar. Në të është deklamimi i presidentit Trump, “DRITË NË FUND TË TUNELIT”, diçka që edhe kështu siç është, pa vizualizim (qëndrim stoik, shikim në largësi, duar që tregojnë ardhmërinë, rrezet e dritës që me të vërtetë paralajmërojnë se qëndrojnë atje diku në largësi) ka efektin e vet dramatik. Dhe në të, nga ana tjetër e Atlantikut, janë Hashim Thaçi dhe cicëruesi i tij, sepse, për dallim prej presidentit Trump, ky i Kosovës ka person apo persona që shkruajnë cicërimën e tij (jo gjë e jashtëzakonshme - në shumë kancelari gjithandej bëhet kështu). Pra, në këtë anë të botës janë Hashim Thaçi dhe cicëruesi i tij - Bylbyli, meqë ka për detyrë cicërimën - që duhet të interpretojnë se çka ka dashur të thotë presidenti Trump, cila është porosia e hapur, cila ajo nëntekstuale, a duhet dhënë përgjigje, a nuk duhet dhënë, nëse po, cilën përgjigje...

Artikullin e plotë mund ta lexoni në “Koha Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.