SOT

Transporti rrugor, drejtimi që po shuhet në mungesë të përkrahjes nga institucionte

Sinjalistika rrugore të vendosura anë e mbanë klasës, e reflektorë nga ku mësojnë mbi transportin rrugor.

Megjithëse kanë nevojë për më shumë praktikë, teoria brenda në klasa është pjesa më e madhe ku mësojnë nxënësit e drejtimit Transporti dhe trafiku rrugor, në shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçov”.

Nxënësit ankohen se përveç se nuk po kanë ku të shkojnë, atyre u mungon pjesa praktike edhe në shkollë.

“Transporti rrugor është tepër drejtim i mirë për kushte nuk janë aq të mira por për profil është shumë i mirë. Mungojnë pajisjet për praktikën që e bëjmë. Jemi të detyruar të shkojmë nëpër qendra të kontrolleve teknike për të kryer praktikën”, tha nxënësi Orges Hajdari. 

Sipas nxënësit Orges Hajdari edhe në vende ku shkojnë të bëjnë praktikë nuk janë aq frytdhënëse.

“Është pengese e madhe për shkak se nuk mund të informohemi por shumë sene se ne shkojmë diku në praktikë por ata nuk kanë edhe kohe të merren me ne”, tha Hajdari. 
Profesori i këtij drejtimi, Ali Miftari, thotë se në aspektin teorik janë shumë mirë, por praktika është ajo që po ngec.

Ata refuzohen për praktikë edhe nga Policia e Kosovës, institucion ky kryesor ku edhe mund të bëjnë praktikë për drejtimin e tyre.

“Sa i përket aspektit teorik janë të nivelit bashkëkohor edhe kuadri është i përgatitur profesional por mbajtja e praktikës mbetet sfidë kur them sfidë është se janë tri module që duhet të mbahen praktikë. 100 kredi janë prej analizave të aksidenteve. Ku t’i mbajmë ne analizat e aksidenteve. Ato vetëm policia i analizon dhe ato janë të paparashikueshme. Praktikat i kanë në ditë të caktuara dhe policia heziton kemi bërë shumë kërkesa dhe e-mail i kemi dërguar por nuk i marrin. Institucionet duhet të bëjnë më shumë për këta nxënës. Në aspektin teorik janë rishikuar planprogramet dhe janë në rregull por ngec aspekti praktik”, tha Miftari. 

Dogana dhe Trafiku Urban janë institucionet në të cilat kanë gjetur përkrahje, megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme.

“Me transportin rrugor i kemi disa marrëveshje. Kemi bashkëpunim të mirë me doganën dhe na pranojnë ata. Edhe me Trafikun Urban e kemi të njëjtën marrëveshje bashkëpunimi që nxënësit e realizojnë praktikën. Por ai është vetëm një modul dhe nuk mund t’i mbajnë gjatë gjithë vitit sepse kërkohen module të tjera. Në analizat e aksidenteve e kam shfaq këtë shqetësim se këtë duhet ta rregullojë Ministria e Arsimit, nuk është njësoj si metal punuesi që shkon në punëtori dhe e kryen praktikën aty gjate gjithë vitit. Këtu është ndryshe. Sinjalizimi rrugor është i ekspozuar në rrugë edhe në rastin e aksidenteve dhe këta duhet të kenë sigurim shëndetësor së pari se ndryshe si pranojnë as kompanitë”, tha Miftari. 

Profesori ankohet për numrin e vogël të nxënësve që po vijnë në drejtimet e transportit rrugor, trafikut rrugor dhe operatorët e trafikut hekurudhor.

Sipas tij këto drejtime rrezikojnë edhe të shuhen në rast se nuk ndërmerren masa.

“Gjeneratat shkojnë dhe interpretojnë këtë. Kur nuk realizohet praktika këta nuk po përgatiten si punëtorë përveç se përgatiten për studime universitare. Nuk është një profil që është zanat është profil që përgatit kuadro për të ardhmen. Me nga 2-3 klasë është numër i vogël për shtetin. Nuk duhet të brengosemi pse e kemi kaos trafikun se kuadrot në trafik i kemi në një numër të vogël. Kur kemi qenë në “28 Nëntori” nga 5 klasë mbi 30 nxënës i kemi pasur ndërsa prej që kemi kaluar në këtë shkollë ka rënë edhe interesimi e ndoshta faji kryesor është praktika. Krejt çka mund të bëjmë për analizat e aksidenteve janë në kompjuter edhe atë nuk kemi nga një kompjuter për secilin nxënës”, tha ai. 

Miftari thotë se ky është një profesion, që shteti ka nevojë shumë për kuadrot e saj çdo ditë e më shumë.

“Komunikacioni është si lumi që nuk ndalet dhe krahas kësaj duhet të përgatiten edhe kuadro të reja. Në bazë të numrit të nxënësve kemi çdo vit e më pak”, tha Miftari. "Edhe kompanitë private nuk janë shumë bashkëpunuese".

“Ne insistojmë edhe në kompani të sigurimeve por i marrin për 1-2 ditë për nga 1 orë e jo më tepër. Ata janë institucione private. Edhe autoshkollat nuk i marrin”, tha ai. 

Përderisa ky drejtim nuk gjen përkrahje, profesori Miftari thotë se drejtimet e tjera edhe më të reja në këtë shkollë gjejnë përkrahje të madhe nga Ministria e Arsimit.