Saranda dhe Genc Rrecaj janë gruaja dhe burri që punojnë në të njëjtën ndërmarrje, konduktorë në “Trafikun Urban” në Prishtinë.
Në ditën e të dashuruarve, datë kjo e veçantë për çiftin pasi që edhe janë kurorëzuar, Saranda dhe Genci kanë ndarë përvojën e tyre të punës në emisionin Magazina 038 të KTV-së, për çka kanë thënë se ka pasur paragjykime të shumta por me mbështetjen e familjarëve kanë arritur t’i bëjnë ballë të gjitha vështirësive.
“Nuk ka qenë e vështirë përderisa kam pasur mbështetjen nga ana e babait por edhe nga familja e burrit. Ka pasur paragjykime, por është një punë atraktive dhe e lezetshme”, ka thënë Saranda.
Ata ishin të martuar kur kanë filluar të kryejnë punën e njëjtë.
Saranda ishte ajo që e kishte propozuar Gencin që të punojë edhe ai aty, por në linja të ndryshme.
Edhe
Transportuesit privatë bllokojnë komunikacionin në Prishtinë
“Saranda ka qenë ajo që ka propozuar që edhe unë të punoj aty. Ka pasur raste kur e kam zëvendësuar gruan dhe njerëzit pyesnin se ku është ajo që nuk na lejon të hyjmë pa e vendosur maskën si duhet”, ka treguar Genci.
Çifti u deklarua edhe për vështirësitë në të cilat kanë hasur si konduktorë gjatë pandemisë, prej kur filluan të punonin me numër të reduktuar të udhëtarëve.
“Askush nuk i ka respektuar masat më shumë se Trafiku Urban, ka qenë shumë e vështirë që të dalësh dhe t’i thuash dikujt nuk ka vend, jemi munduar t’i kalojmë pa probleme dhe për fat të mirë nuk kemi hasur në telashe. Kemi pasur rast në pandemi kur një djalë i ri na ka dalë përpara dhe tha se është dita e tretë që vonohem në punë dhe është rrezik ta humbas atë, ne i kemi thënë të dalë çdo ditë në të njëjtën kohë dhe do ta marrim”, ka rrëfyer Genci.