Arbëri

Buja: Për një vit shokët e luftës janë ruajtur të mos më flasin nga frika prej Speciales

Shukri Buja

Shukri Buja, ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, që së fundimi dha dëshminë në Gjykatën Speciale, ka deklaruar se s’ka mundur të takohet me shokët e luftës pasi sipas tij, takimet mund të përdoreshin nga Specialja.

Ai ka thënë të enjten në “Konfront” se i ka shmangur edhe takimet publike “pasi në momentin kur identifikohet se kemi biseduar për luftë mund të përdoren se kemi ndikuar te dëshmitarët”.

“Unë s'kam mund të takohem me shokët e mi të luftës para se të shkojë te Dhomat e Specializuara në dëshmi për shkak edhe të frikës që të mos kontaktojnë me mua, që mos të ndikohen te drejtësia. Në momentin kur më është bërë ftesa për dëshmi, tetor 2023, për një vit shokët e mi luftës, ata me të cilët kam biseduar, janë ruajtur të mos identifikohen përmes kamerave se po bisedojmë. Janë ruajtur të tjerët, pasi në momentin kur identifikohet se kemi biseduar për luftë, mund të përdoren se kemi ndikuar te dëshmitarët”, ka deklaruar Buja.

Sipas tij, ka akuza të mëdha për ndikim te dëshmitarët.


Kolaj: Në fund të 2025-tës mund të kemi epilog të shkallës së parë në Speciale

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Astrit Kolaj, ka thënë se pritet që në fund të vitit të ardhshëm të ketë një epilog të shkallës së parë në Gjykatën Speciale.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Kolaj ka thënë se kanë mbetur edhe rreth 40 dëshmitarë pa e dhënë dëshminë e tyre, fakt që mund ta bëjë procesin të zgjasë deri në fund të vitit 2025.

Kolaj ka shtuar se fillimisht ZPS-ja ka pasur pretendime të mëdha me rreth 300 dëshmitarë, por zvarritja e afateve të përcaktuara kohore ka bërë që gjysmën prej tyre t’i heqë nga lista.

“Sot ka përfunduar dëshminë dëshmitari i 110 i Prokurorisë, në fillim Prokuroria ka pasur pretendime të mëdha me 300 dëshmitarë, por nuk ka arritur që brenda afateve të përcaktuara kohore t’i ftojë ata dhe një pjesë të tyre e ka hequr, e disa vazhdon t’i largojë nga lista e dëshmitarëve, ndërsa një pjesë tjetër të dëshmitarëve që janë deponuar dëshmitë e tyre me shkrim në Gjykatë, mendoj se ky proces, në bazë të monitorimit tonë, do ta ketë një epilog pa pretenduar se cili është, do ta ketë një epilog ende pa e ditur sa numra të dëshmitarëve do të ketë në këtë proces. Unë shpresoj se me një ecuri të tillë, fundi i vitit të ardhshëm ka gjasë që ta japë një epilog të shkallës së parë. Tani Prokurorisë i kanë mbetur diku rreth 40 dëshmitarë”, ka thënë ai. 


Koci: Arrestimet për pengim të drejtësisë, pretekst që të akuzuarit të mos mbrohen në liri

Avokati Arianit Koci ka deklaruar se arrestimet për pengim të drejtësisë janë pretekst që të akuzuarit të mos mbrohen në liri.

Në debatin mbi aksionin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të enjten në “Konfront” të KTV-së, Koci e ka përmendur rastin e Ramush Haradinajt, i cili ka qenë ndryshe nga rasti i Thaçit dhe të tjerëve, të cilët tash e katër vjet po mbahen në Hagë. 

“Në aktgjykimin që do të merret, qoftë lirues apo çfarëdo tjetër, kjo fare nuk do të duhet të ndikojë. Por ndikon në faktin se a do t’i lejojë deri në përfundim të aktgjykimit të mbrohen në liri apo jo. Prokuroria mund ta përdorë si adut të fortë, madje edhe e ka përdorur... në arsyetime Prokuroria thotë se këta nuk mund të lejohen të mbrohen në liri për shkak se ka një aktgjykim, ju e dini rastin e Ramush Haradinajt, ai i ka pasur disa kufizime, kohë pas kohe e kanë kthyer në Hagë, por shumicën e kohës të gjykimit, si z.Thaçi dhe të tjerët që po e kalojnë tash e katër vjet, ai e ka kaluar një pjesë të madhe të kohës edhe në Kosovë në shtëpi të tij me kufizime të caktuara. Këtu po përdoret si pretekst për mos t’i lejuar të mbrohen në liri”, ka thënë ai. 


Buja thotë se në rastin “Veteranët” u mbrojt në heshtje për të mos i dhënë informacione Speciales

Shukri Buja, ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, ka deklaruar se në rastin “Veteranët” është mbrojtur në heshtje me qëllim që Dhomave të Specializuara mos t’i japë informacione.

Buja, që së fundmi ka dhënë dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara, ka thënë të enjten në “Konfront” se Gjykata Speciale i përcjell të gjitha deklarimet e tij, me qëllim të mbledhjes së informacioneve. Sipas tij, EULEX-i i përcjell të gjithë personat që mund të jenë cak i Gjykatës.

“Përdoren të gjitha informatat, qoftë të dhëna në gjykatat në Kosovë dhe të gjitha deklarimet janë marrë edhe nga televizionet. Unë mendoj se edhe vetë procesi i veteranëve të luftës është proces që po stërzgjatet me qëllim që të nxirren sa më shumë informacione për zinxhirin komandues të UÇK-së. Kemi monitorues në vazhdimësi edhe në EULEX-i. Ka mundësi të tërheqjes së ndonjë informacioni, në atë kohë gjykatës i kam thënë se s’mund ta bëjë mbrojtjen pasi jam mbrojtur në heshtje”, ka deklaruar Buja.


Krasniqi: Arrestimet, shfryrje frustrimi e Prokurorisë, pasi s'po mund ta faktojë akuzën

Gazetari Besnik Krasniqi ka deklaruar se arrestimet e sotme të Speciales në Hagë shihen më shumë si shfryrje frustrimi të Prokurorisë, pasi nuk po mund ta faktojë akuzën. 

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Krasniqi ka thënë se nuk po arrihet të dëshmohet akuza mbi të cilën është themeluar Gjykata Speciale, ajo e ndërmarrjes së përbashkët kriminale. 

“Arrestimet e sotme më shumë i shoh si shfryrje frustrimi të Zyrës së Prokurorit të Specializuar meqë së fundmi kemi parë si dëshmitarë shumë komandantë të UÇK-së dhe dëshmitarët e saj nuk po arrijnë ta mbështesin akuzën kryesore, e cila është ndërmarrja e përbashkët kriminale, në kuptimin që të akuzuarit kryesorë si pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kanë urdhëruar vrasjen e kundërshtarëve politikë dhe të njerëzve që kanë bashkëpunuar me Serbinë. Duhet ditur që Specialja është themeluar fillimisht mbi bazën e një akuze imagjinare që ka qenë trafikim i organeve të njerëzve që janë ndaluar diku në Shqipëri. Nuk e kemi fare këtë në aktakuzë dhe në kushte normale, nëse bie akuza kryesore që e ka themeluar këtë trup, do të duhej të binte edhe Gjykata. Tani po përballemi me këtë akuzën e dytë që unë sërish besoj se është imagjinare, kjo ndërmarrja e përbashkët kriminale. Nëse e lexojmë aktakuzën prej fillimit deri në fund, ne e kemi të ndërtuar një narrativë që thotë se njerëzit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së edhe duke qenë si aktivistë politikë në LPK kanë ushqyer bindjen në masë që kundërshtarët politikë duhet eliminuar, kështu që kur kanë ardhur në UÇK e kanë realizuar. Ideja është që këtë synojnë ta dëshmojnë kryesisht nëpërmjet komandantëve të UÇK-së dhe nuk është që kanë marrë konfirmime nga këta njerëz”, ka thënë ai.