Fillimisht refuzoi t’iu përgjigjej pyetjeve, por dëshmitari Shukri Buja pas tërheqjes së vërejtjes nga trupi gjykues nisi të jepte versionet e tij në pyetjet e Prokurorisë në shqyrtimin gjyqësor të rastit më të madh të Speciales. Buja, ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, që përmendet edhe në aktakuzën për këtë rast, kërkoi që të mos inkriminohej e në disa raste tha se nuk i kujtoheshin ngjarjet e 25 vjetëve më parë
Shukri Buja, ish-komandant i UÇK-së për Zonën Operative të Nerodimes, ka nisur të hënën dëshminë e tij në Speciale. Buja fillimisht nuk iu përgjigj pyetjeve të prokurorisë, meqë kërkoi garanci që të mos inkriminohet gjatë dëshmisë së tij.
E kryetari i trupit gjykues tha se dëshmitari e ka të drejtën të mos e inkriminojë veten me dëshminë e tij, porse duhet t’u përgjigjet pyetjeve që i lejon trupi gjykues, përndryshe do të përballet me gjobë.
Buja në aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit përmendet si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Ai tha se në rastin e gjykimit të Fatmir Limajt dy dekada më parë e ka thënë të vërtetën. E nga i akuzuari i parë në rastin më të madh të Speciales, Hashim Thaçi, tha se nuk ka marrë urdhra gjatë luftës.
"A ju kujtohet që i keni thënë Tribunalit të Hagës më 2003 ose në ndonjë kohë tjetër që një urdhër iu është përcjellë nga Hashim Thaçi, d.m.th. që Hashim Thaçi ju ka përcjellë urdhër për të shkuar në zonën tuaj. Ju kujtohet", ka thënë prokurori James Pace.
"Mund të jetë ndonjë deklaratë e gabuar, përndryshe në atë kohë nuk kemi pasur urdhra. Realisht kemi vendosur vetë dhe kemi njoftuar se po shkoj, sepse e njoh më mirë terrenin atje dhe njerëzit që janë në atë terren", është përgjigjur Buja.
Derisa shumica e dëshmisë së tij të hënën u dha në seancë të mbyllur, në pjesën e hapur të saj, ai tha se ka mundur të jetë i ndikuar nga propaganda e pasluftës dhe shpesh është shprehur se nuk i kujtohen ngjarjet e para rreth një çerek shekulli. Ai tha se Thaçin e njihte si bashkëluftëtar dhe ashtu fliste me të, kur u pyet lidhur me pranverën e vitit 1998.
"Atëkohë as Hashim Thaçin nuk e kam njohur si pjesë të Shtabit të Përgjithshëm..."
Në aktakuzën e Speciales thuhet se i liruari nga Tribunali i Hagës lidhur me akuzat për krime lufte, Fatmir Limaj, dhe Buja morën pjesë në arrestimin dhe ndalimin e personave në Llapushnik në periudhën prill-qershor 1998 dhe se Buja ishte komandant i Zonës së Nerodimes kur ndodhën arrestimet e ndalimet në fshatrat e Kaçanikut: Biçec e Ivajë dhe në Varosh të Ferizajt, në mars të 99-s.