Arbëri

Bugaqku: Në aktgjykimin e plotë të Kushtetueses duhet të sqarohet procesi i zgjedhjes së nënkryetarit

Vullnet Bugaqku nga KDI-ja, në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se asgjë të re nuk ka thënë Gjykata Kushtetuese pasi, sipas tij, ka qenë e ditur që Kuvendi nuk është i konstituuar pa nënkryetarin serb.

Por sipas Bugaqkut, do të duhej të ishte më e qartë mënyra se si do të duhej të zhvillohej procesi i zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Megjithatë sipas tij në aktgjykimin e plotë të Kushtetueses mund të sqarohet edhe kjo. 

“Në aktgjykim Gjykata Kushtetuese të paktën duhet të jetë më e qartë në arsyetimin e këtij aktgjykimi dhe duhet të jetë më konçize sa i përket procesit të mëtutjeshëm. Gjykata ka mundur të japë një sqarim edhe të procesit të mëtutjeshëm sa i përket procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit”, tha Bugaqku.

Bugaqku tutje ka shtuar se në rast se deputetët serbë nuk dorëzojnë propozim për nënkryetar, e as nuk qëndrojnë në sallë për formën e zgjedhjes me short, çështja mund të shkoj sërish në Gjykatën Kushtetuese.

“Procesi i shortit duhet të zhvillohet me praninë e atij komuniteti, anëtari i të cilit pritet të zgjedhet nënkryetar i Kuvendit, por pyetja është çka nëse këta dalin nga salla dhe nuk mund të aplikohet as procedura e shortit dhe ky është pastaj fakt tjetër dhe lë hapësirë tjetër interpretimi të Gjykatës Kushtetuese. Ka mundësi që gjykata të thotë se janë bërë dy-tri herë që ky komunitetit nuk dëshiron të propozojë dhe pastaj të legjitimojë faktin se e humbin të drejtën e propozimit por edhe të përfaqësimit të tyre në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Bugaqku.

Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk i ka sqaruar pasojat në rast se nuk konstituohet Kuvendi, por sipas Bugaqkut megjithatë në rast se shterren të gjitha mundësitë, gjykata ka të drejtë të kërkojë edhe ndihmën e Komisionit të Venecias dhe të zhvillohet një metodë e bazuar në praktikat e ndonjë shteti tjetër se si është vepruar në raste të njëjta.