Arbëri

Britania përsërit thirrjet për ndërmarrjen e hapave për shtensionim të situatës në veri

Ministri i Jashtëm i Britanisë, James Cleverly, ia ka cekur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, rëndësinë që të merren hapat për shtensionim të situatës në veri.

Cleverly gjatë takimit me Kurtin në Londër, ka thënë se duhet siguruar që kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës të punojnë nga objekte alternative, të largohen njësitetet speciacle të Policisë së Kosovës nga objektet e komunave dhe të merren hapa drejt zgjedhjeve të reja gjithëpërfshirëse.

Siç ka njoftuar Qeveria e Britanisë, Cleverly po ashtu ka thënë se “Serbia dhe Kosova kanë përgjegjësi që të veprojnë tash për shtensionim dhe të evitohen veprimet apo retorikat që mund ta tensionojnë situatën”.

Cleverly po ashtu ka mirëpritur lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor.

Ai e ka quajtur hap pozitiv para.

“Britania e Madhe ishte shteti i parë që e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2018, dhe mbetet e përkushtuar për të ardhmen e saj si shtet i pavarur dhe multietnik në një rajon stabil dhe prosperues. Siç ia kam bërë të qartë kryeministrit Kurti, tensionet e vazhdueshme rrezikojnë të arriturat në Kosovë gjatë viteve, të cilat erdhën me shumë mund dhe u bënë në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Cleverly.

Për takimin me Cleverly ka njoftuar edhe kryeministri Kurti nëpërmjet një postimi në Twitter.

Ai ka thënë se ka qenë kënaqësi të takohet me Cleverlyn, ndërsa e ka falënderuar për përkrahjen e palëkundur. Po ashtu Kurti ka cekur rëndësinë që të adresohen sulmet ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës e gazetarëave. Dhe po ashtu ka përmendur përgatitjet për zgjedhjet e reja.

Kurti po ashtu është takuar të hënën edhe me deputeten britanike Alicia Kearns.

E ka falënderuar atë se është “zë i fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Evropë”.