Arbëri

Britania mirëpret vendimin e PZAP-së për Listën Serbe

Britania e Madhe - Kosova

Ambasada Britanike në Kosovë, pas vendimit të PZAP-së për Listën Serbe ka thënë se presin që deputetët e zgjedhur nga kjo parti, të marrin detyrën e t’iu shërbejnë qytetarëve që i kanë votuar.

Në një reagim në Facebook, Ambasada britanike ka thënë po ashtu se inkurajohen të gjitha institucionet të respektojnë këtë vendim të PZAP-së.

“Ne presim që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime të jenë në gjendje të marrin detyrën dhe t'u shërbejnë qytetarëve që i kanë zgjedhur. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë proceset zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë. Ne i inkurajojmë të gjitha institucionet dhe aktorët politikë të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të mbështesin integritetin e kornizës zgjedhore”, thuhet në reagim.

PZAP-ja aprovoi ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mosshpallje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për këtë subjekt politik dhe kandidatëve të saj. PZAP-ja ka thënë se ankesa e Listës  Serbe është e  bazuar.

Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Por, gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjithë partive, përveç Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Tre anëtarë të KQZ-së votuan për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë abstenuan.

Vendimin e KQZ-së e kritikuan ndërkombëtarët.