Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Britania e shqetësuar me refuzimin e kërkesës së prokurorëve serbë për t’u kthyer në punë

Britania e Madhe - Kosova

Mbretëria e Bashkuar ka reaguar pas dekretit të presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, përmes së cilit u liruan nga detyra të shtatë prokurorët serbë, të cilët patën dhënë dorëheqje në fund të 2022-s.

Vendimi i Haxhiut është marrë një ditë pasi Këshilli Prokurorial e ka refuzuar kërkesën e tyre për t’i tërhequr dorëheqjet e gati katër vjetëve më parë.

Në reagim, Mbretëria e Bashkuar ka thënë se janë të shqetësuar me këtë zhvillim dhe ka bërë thirrje për integrimin e popullsisë shumetnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë.

“Ne e kemi mirëpritur reagimin e vazhdueshëm të organeve përkatëse profesionale, të cilat e kanë njohur rëndësinë e ruajtjes së besimit të të gjitha komuniteteve në Kosovë ndaj sistemit të drejtësisë. Prandaj, jemi të shqetësuar për zhvillimet e kësaj jave. Ne bëjmë thirrje për integrimin e popullsisë shumetnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë, me qëllim forcimin e besimit të publikut në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në reagim.

Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për të pranuar dorëheqjen e personelit serbë si dhe për dekretimin e këtij vendimi nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu. Këto vendime BE-ja i ka quajtur në shpërputhje me ligjin.

Edhe Haxhiu dekreton lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, reagon BE-ja Arbëri 1 d. më parë Haxhiu dekreton lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, reagon BE-ja

Kthimin në vendin e punës kanë kërkuar edhe gjyqtarët të cilët dhanë dorëheqje në po atë kohë, mirëpo Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk ka marrë vendim për ta.

Dorëheqjet në fund të 2022-s ndodhën pas shkarkimit të komandantit të policisë në veri, i cili pati refuzuar të zbatojë vendimin e qeverisë me të cilin u ndalua qarkullimi i automjeteve me targa ilegale serbe. Atëkohë, dorëheqje patën dhënë edhe kryetarët e 4 komunave të veriut dhe pjesëtarët e administratës.