Arbëri

BQK-ja ia revokon licencën siguruesit “Kosova e Re”

Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim që siguruesit “Kosova e Re” t’i revokohet licenca e lëshuar nga Autoritetit Bankar dhe i Pagesave të Kosovës, paraardhëse ligjore e BQK-së.

Vendimi, sipas BQK-së, është marrë për shkak të vështirësive financiare të “Kosovës së Re” në përmbushjen e kërkesave ligjore, sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit, aftësisë paguese – solvencës dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike.

BQK-ja ka thënë se përkundër që është përpjekur të sanonte gjendjen financiare të këtij siguruesi, nuk është arritur përmbushja ligjore dhe përmirësimi.

“Në të njëjtën kohë, Aksionari i Siguruesit “Kosova e Re” nuk iu është përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjes në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi. Mungesa e gatishmërisë së Aksionarit për t’i plotësuar kërkesat e kapitalit ka vënë në rrezik serioz kapacitetet e Siguruesit për të përmbushur detyrimet ndaj të siguruarve dhe kreditorëve të tjerë. Prandaj, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe me qëllim të parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, BQK-ja duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji për BQK-në dhe Ligji për Sigurimet, ka marrë vendim për revokimin e licencës së Kompanisë”, ka njoftuar BQK-ja.

Banka Qendrore po ashtu ka njoftuar se ka hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm për të siguruar “trajtim të drejtë e të barabartë, ndaj të gjithë kreditorëve”.

Likuidatori do të raportojë në BQK për mbarëvajtjen e përmbushjes së detyrimeve ndaj kreditorëve.

Sipas BQK-së, revokimi i kësaj licence nuk rrezikon qëndrueshmërinë e sektorit të sigurimeve në Kosovë.

“Sistemi financiar i Kosovës, që nga fillimi i funksionimit të tij, ka pasur një zhvillim të qëndrueshëm dhe ka shërbyer si burim i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik në vend. Kjo është dëshmuar edhe gjatë periudhës së fundit të pandemisë, ku sistemi financiar ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në përkrahjen e ekonomisë së vendit”, thuhet në njoftim.