Arbëri

Borxhi i spitaleve private ndaj FSSH-së, së paku 1.3 milionë euro

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka mbajtur takim të gjatë me krerët e institucioneve publike shëndetësore për planin që ai e quan “Transformim i shëndetësisë”.

Prezantimi i ministrit ishte titulluar “Transformimi i shëndetësisë së Kosovës përmes vetëdijesimit individual dhe kolektiv, inovimit, bashkëpunimit dhe dashurisë ndaj mëmëdheut”.

Në këtë takim nuk ishin të ftuara mediat.

Përveç se ministri Latifi prezantoi shtatë shtyllat e programit të tij, në fokus ishte edhe Fondi për Trajtim Jashtë Vendit.

Për vitin 2022, ky fond do të jetë shtatë milionë euro. Një pjesë e këtij buxheti është shpenzuar në 3-mujorin e parë.

“Bordi për Trajtim Jashtë Spitaleve Publike për tremujorin e parë të vitit 2022 ka shqyrtuar dhe ka marrë vendime për gjithsej 252 dosje me procedurë emergjente dhe joemergjente. Vlera financiare është 2. 536. 408 euro”, thuhet në përgjigjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Kosova u detyrohet spitaleve private rreth 11 milionë euro.

Megjithatë, nga procesi i barazimit financiar, borxhi është rreth 35 milionë euro. Deri më tani ka pasur raste edhe kur spitalet private kanë hyrë borxh te Fondi.

“Deri më tani janë përfunduar barazimet financiare me 46 institucione shëndetësore private. Në procesin e barazimeve financiare janë 34 institucione shëndetësore private me 3205 transaksione, që vlera e tyre në total është 34.493.995 euro. Mjete të lira të identifikuara deri më tani nga procesi i barazimeve janë 1. 310. 824 euro”, thuhet tutje në përgjigjen e Fondit.

Fondi ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që përveç rritjes së buxhetit, t’i ndajë veçmas sëmundjet që kanë të bëjnë me kancerin, e të bëhet buxhet i posaçëm për të.

“Sipas vendimit të Qeverisë, të krijohet fond i veçantë për trajtimin e sëmundjeve malinje... Të sigurohet buxhet shtesë për t’i mbuluar kërkesat e qytetarëve për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike”, thuhet në kërkesën e Fondit.

Fondi për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike është një nga institucionet më problematike në shëndetësinë publike.

Funksionimi i këtij programi ka filluar në vitin 2005. Buxheti ndër vite është rritur, e po ashtu janë shtuar edhe sëmundjet që kanë filluar të trajtohen në Kosovë. Megjithëkëtë, numri i pacientëve nuk është zvogëluar.

Transparenca me këtë fond deri tani ka qenë e vogël. Nuk dihet asgjë përtej aprovimit të parave për spitalin privat e as procedura e mëtutjeshme deri në përfundim të trajtimit.

Përfituesit më të mëdhenj të këtij programi janë spitalet turke.