Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka përsëritur se marrëveshja për Planin Evropian është dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ka thënë se fokusi i BE-së tani është në zbatimin e saj.
Në një konferencë për media në Tiranë, Borrell ka thënë se ka pasur shumë marrëveshje në të kaluarën që janë dakorduar, por nuk janë zbatuar. E një gjë e tillë, Borrelli thotë se nuk mund të ndodhë më.
“Në takimin e 27 shkurtit, të dy [Kurti dhe Vuçiq] janë pajtuar që nuk duhet diskutime të mëtutjeshme për Propozimin evropian. Kjo nënkupton se e konsiderojmë që teksti i marrëveshjes është i mbyllur. Një gjë është marrëveshja, e tjetër është se kur dhe si do të zbatohet. Ka pasur marrëveshje në të kaluarën që kurrë nuk janë zbatuar. Nuk mund të ndodhë sërish e njëjta gjë. Ne aktualisht jemi duke punuar, jo në marrëveshjen vetë që është dakorduar tashmë, por në zbatimin e saj. Dhe ky zbatim është një aneks”, ka thënë Borrell para gazetarëve të enjten.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së pret që kryeministrin Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq të shkojnë në Ohër të shtunën me një qasje konstruktive. Shton se nëse arrihet dakordimi për zbatimin e marrëveshjes, i gjithë Ballkani Perëndimor do të bëjë hap të madh drejt BE-së.
“Të dyja palët duhet të pajtohen për zbatim. Duhet zbatuar këtë marrëveshje. Shpresoj që të shtunën të dyja palët të vijnë me qasje konstruktive, me vullnet dhe të angazhuara. Insistoj jo në marrëveshje, por në modalitetet e zbatimit e afatet kohore. Nëse kjo ndodh, Ballkani Perëndimor bën një hap të madh përpara drejt BE-së”, ka thënë Borrell.
Borrell u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit për Shqipërinë.
Takimi i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.