Arbëri

Një vit nga dakordimi në Ohër rreth Aneksit për zbatimin e Marrëveshjes

Marreveshja e Ohrit

Një vit pas arritjes së dakordimit në Ohër rreth Aneksit për Zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka shprehur keqardhje për mungesën e përparimit duke kërkuar prej Kosovës dhe Serbisë që të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve dhe të kalojnë në një epokë të re - evropiane

Tensionet në veri që kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe diskutimet për çështjen e dinarit që u aktualizua së fundi, kanë çuar në bllokadë zbatimin e pikave për të cilat Kosova dhe Serbia janë dakorduar në dialogun e Brukselit.

Sot është bërë një vit që prej arritjes së dakordimit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë rreth Aneksit për Zbatimin e Marrëveshjes. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, përmes një deklarate për media të dielën ka thënë se është koha e fundit që Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – atë evropiane.

“Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e detyrimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje. BE rikujton vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar. Prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm. Tani është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re - evropiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se presin që liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership duke bërë progres në zbatim pa vonesa të mëtejshme.

“Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i gatshëm për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në çdo hap gjatë rrugës, por ata janë ata që duhet t'i ndërmarrin ato hapa dhe të ecin përpara”, ka përfunduar ai.

Entuziazmi që pati mbretëruar në Bashkimin Evropian pas arritjes së Marrëveshjes Bazë dhe aneksit për zbatimin e saj mes Kosovës e Serbisë, ishte shuar shpejt pasi mungoi vullneti për zbatimin e tyre. E pas shpërthimit të tensioneve në veri që kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, BE-ja u mor me menaxhimin e krizës duke e lënë dialogun nën hije. Për pasojë, asnjëra prej pikave të dakorduara nga marrëveshja e fundit nuk ka nisur ende së implementuari.

Zyrtarë të Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë akuzuar palët në dialogun Kosovë-Serbi se nuk po angazhohen mjaftueshëm për zbatimin e marrëveshjeve.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 27 shkurt për përmbajtjen e Planit Evropian për dialogun, ndërkaq më 18 mars në Ohër u dakorduar edhe për aneksin mbi zbatimin e planit.