Bordi i përkohshëm i ndërmarrjes “Trepça”, ka njoftuar se i ka shfuqizuar të gjitha vendimet që Bordi i kaluar, i cili të mërkurën është shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, i ka marrë në një mbledhje të mbajtur po të mërkurën.
“Me datën 28.09.2023 është mbajtur mbledhja e parë e jashtëzakonshme e Bordit të përkohshëm mbikëqyrës të Trepça Sh.A. Në këtë mbledhje janë shfuqizuar vendimet joligjore të ish-Bordit mbikëqyrës, për arsye se nuk kanë pasur kuorum të mbajnë mbledhjen pasi që kanë qenë vetëm 1/3 e anëtarëve dhe e dyta janë të shkarkuar nga të qenit anëtar të Bordi mbikëqyrës dhe të gjitha vendimet në mbledhjen e datës 27.09.2023 janë joligjore”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në njoftim thuhet se sipas Ligjit për Procedurën e përgjithshëm administrative, një akt administrativ është i paligjshëm nëse “Organi publik që e nxjerr ka vepruar pa pasur kompetencë”.
“Në këtë rast nuk kanë pasur kompetencë dhe nuk kanë pasur kuorum për të mbajtur mbledhje pasi që të njëjtit kanë qenë të shkarkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës pra kanë mbajtur mbledhje përkundër faktit që të njëjtit janë shkarkuar dhe të gjitha vendimet janë joligjore”, thuhet në njoftim.
Kryesuesi tashmë i shkarkuar i Bordit të ndërmarrjes, Bahri Hyseni, të mërkurën në një deklarim për KOHËN ka thënë se vendimi për shkarkimin e Abdurrahmanit është marrë para se Qeveria t'i shkarkonte ata.
Edhe
Para se të shkarkohej nga Qeveria, Bordi i “Trepçës” shkarkoi kryeshefin
Ndërkohë që ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se Bordi i shkarkuar ka qenë jofunksional.
Por sipas Hysneit ata kanë pasur kuorum për të marrë vendime.
“Në kemi qenë 5 anëtarë, dy prej tyre më herët kanë kërkuar të lirohen nga detyra, pra kemi mbetur tre anëtarë, bordi ka qenë funksional dhe dy të tretat kanë qenë të mjaftueshme për të marrë vendime”, ka theksuar Hyseni.