Saktësisht 24 vjet më parë, avionët e NATO-s nisën sulmet ajrore ndaj pozicioneve ushtarake të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, një operacion tejet kompleks dhe me të papritura. Kësisoj, Aleanca Veri-atlantike i dha fund agresionit të nisur nga Sllobodan Millosheviqi, i cili që në ditët e para të bombardimeve do të urdhëronte masakrat më makabre dhe dëbimin e mbi gjysmë milioni shqiptarëve. Në përvjetorin e bombardimeve, liderët institucionalë e kanë vlerësuar historike fushatën e NATO-së për ta ndalur brutalitetin e Serbisë
Asgjë nuk kishte mbetur pa u provuar për ta ndalur agresionin mbi Kosovën të regjimit të presidentit të Republikës Federative të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pos ndërhyrjes ushtarake, e cila megjithatë ndodhi saktësisht 24 vjet më parë.
Në përvjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s, liderë institucionalë e politikë e kanë vlerësuar të domosdoshëm dhe historik intervenimin e Aleancës në krye SHBA-në, mbi caqet policore dhe ushtarake serbe.
Presidentja Vjosa Osmani bashkë me ambasadorë të shteteve të QUINT-it, kanë bërë homazhe te Memoriali i ushtarëve të NATO-s të rënë për lirinë e Kosovës. Ajo ka shpërndarë në rrjetet sociale fjalimin e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton natën e 24 marsit, pak kohë pas nisjes së bombardimeve.
“Si sot, 24 vjet më parë, aleatët tanë të NATO-s u mblodhën për t’i dhënë fund brutalitetit të një regjimi gjenocidal. Ndërhyrja shpëtoi miliona jetë, por gjithashtu hapi rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme, më të begatë dhe paqësore për popullin e Kosovës dhe rajonit. Jemi përjetësisht mirënjohës”, ka shkruar Osmani në “twitter”.
E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka theksuar se nën komandën e Gjeneralit Wesley Clark, fushata bombarduese 78-ditore e Aleancës Veriatlantike i dha fund spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë.
“24 vjet më pas, Republika e Kosovës, e ndërtuar mbi themelet e luftës çlirimtare të UÇK-së, martirizimit të popullit tonë dhe ndihmës ushtarake të NATO-s, është shtet demokratik, sovran dhe i pavarur. Shembulli më i mirë në Ballkan, Evropë e më gjerë për jetën e lirë të qytetarëve të barabartë, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve pakicë. Po ashtu, gjatë këtyre viteve të pasluftës, Republika e Kosovës ka shënuar përparime të dukshme në të gjitha fushat dhe përbën sot një faktor paqeje, bashkëpunimi e stabiliteti në rajon”, ka shkruar Konjufca.
“Jemi të vendosur që, me mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë të përhershëm, të avancojmë në proceset integruese dhe ta mbrojmë me çdo kusht pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues në çdo pjesë të shtetit tonë. Populli ynë do t'u jetë përjetë mirënjohës shteteve anëtare të Aleancës së NATO-s dhe misionit ushtarak KFOR për gjithë çfarë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për lirinë, paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës”.
Hilli ngushëllon familjet serbe që pësuan nga NATO-ja
Nga ana tjetër, Serbia vazhdon ta ushqejë narracionin se NATO-ja ushtroi agresion të paligjshëm mbi një vend sovran. Ambasadori i SHBA-së në këtë shtet, Christopher Hill, deklaroi se populli serb nuk do ta harrojë kohën e bombardimeve, derisa u shprehu ngushëllime familjeve që humbën familjarë nga fushata ajrore e NATO-s.
Në 24-vjetorin e bombardimeve të NATO-s, ai ka thënë se ka mësuar se ndonjëherë ndodh që diplomacia të dështojë, e kur kjo ndodhë, sipas tij rezultatet mund të jenë tragjike.
“Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë. Populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por besoj se është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat e tij. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj partneritetit tonë me Serbinë është i palëkundur, siç është edhe angazhimi ynë ndaj diplomacisë”, ka shkruar Hill.
Por Hillit i ka reaguar Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se diplomati amerikan paska vendosur të rishkruajë historinë në përpjekjet e tij për ta sjellë Serbinë në ‘binarë’.
“Ndërhyrja nuk ishte rezultat i ‘dështimit të diplomacisë’. Serbia me të vërtetë nuk duhet ta harrojë atë, pikërisht sepse ndodhi si përgjigje ndaj veprimeve të një regjimi brutal dhe gjenocidal”, është shprehur Miftari.
Operacioni më i madh në historinë e NATO-s
Refuzimi i Millosheviqit në vitin 1999 që të firmosë marrëveshjen e Rambujesë, solli operacionin më të madh ushtarak në historinë e NATO-s.
Ish-presidenti amerikan Bill Clinton, në fjalimin televiziv natën e 24 marsit kishte shpjeguar qëllimet e fushatës së NATO-s, duke dëshmuar seriozitetin e reagimit kundër agresionit serb në Kosovë. Qëllimi ishte të dëmtohen seriozisht kapacitetet ushtarake të ish-Jugosllavisë për të shkaktuar luftë në të ardhmen.
Pas fillimit të bombardimeve të NATO-së, forcat ushtarake dhe paramilitare të ish-RFJ e nisën një fushatë të egër kundër popullatës civile. Atëkohë do të kryheshin masakrat më makabre. Sipas shënimeve të Departamentit amerikan i Shtetit, rreth 10 mijë shqiptarë ishin vrarë dhe hedhur në varreza masive.
Dëbimi masiv i mbi gjysmë milioni shqiptarëve të Kosovës vetëm në dy javët e para të bombardimeve, që deri në fund të fushatës arriti në afro 1 milion, kishte prodhuar jostabilitet politik në Maqedoni dhe Shqipëri.
Pasojat e bombardimeve
Pas katër javë bombardimesh, udhëheqja jugosllave ende nuk po jepte asnjë shenjë të gatishmërisë për bisedime. Në samitin e NATO-s në Uashington, të mbajtur më 23 prill 1999, udhëheqësit e NATO-s vendosën të rrisin dozën e bombave, duke e zgjeruar tani numrin e caqeve të përcaktuara për t’i goditur edhe në infrastrukturën ushtarake-industriale dhe në media. Nga bombardimet u shkatërruan 59 ura, 7 sosh vetëm mbi Danub; 9 autostrada ndër të cilat edhe ajo Beograd-Nish si dhe ajo Beograd-Zagreb; si dhe 7 aeroporte. Shumica e transmetuesve kryesorë të telekomunikimit u dëmtuan, ndërkaq, dy të tretat e komplekseve industriale u shkatërruan pothuajse në tërësi. Sipas NATO-s, ishte arritur të paralizoheshin 70 për qind e kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike, dhe 80 për qind e rafinerive të naftës.
Në këtë luftë numri i viktimave ushtarake ishte fare i vogël. NATO-ja viktima nuk pati fare, e që është rasti i parë i shënuar në historinë e luftërave. Sipas shifrave të ish -RFJ-së, në luftë kanë vdekur të paktën 600 ushtarë të ish-federatës, nga të cilët 300 janë vrarë në luftë me UÇK-në.
Më 1 qershor 1999, Beogradi e njoftoi Qeverinë gjermane se do t’i pranonte parimet e G-8-shes, me ç’rast Parlamenti i Serbisë formalisht e miratoi planin paqësor. Kjo i parapriu Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës që u nënshkrua më 9 qershor, ndërsa hyri në fuqi më 11 qershor. Mes këtyre dy datave, NATO-ja i pezulloi sulmet e veta ajrore me urdhër të sekretarit të përgjithshëm të NATO-së Havijer Sollana. Po më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, mbi bazën e së cilës në Kosovë u vendos të dërgohen 37.200 ushtarë nga 36 shtete, e po ashtu u përcaktua korniza për vendosjen e administratës civile të OKB-së. Trupat e NATO-s kishin autoritetin të operonin vetëm në Kosovë, ndërkohë që me Marrëveshjen e Kumanovës, RFJ-ja u detyrua të largojë nga Kosova të gjitha forcat e saj policore e ushtare.
NATO-ja nuk kontestohet as nga shqiptarët e as nga serbët
NATO-ja edhe pas 24 vjetësh mbetet prania më e besueshme ndërkombëtare në Kosovë, e cila nuk kontestohet as nga shqiptarët e as nga serbët.
Sa ka ndryshuar qëndrimi i serbëve ndaj NATO-s dëshmon fakti se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, të cilët ishin ndër njerëzit kryesorë të Milosheviqit në kohën e bombardimeve, dhe në krye të luftës propagandistike kundër kësaj Aleance, tani në disa raste kanë kërkuar garanci nga NATO-ja madje edhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Kosovën në dialogun e Brukselit.
Pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, tanimë ka ndryshuar edhe konfiguracioni strategjik në rajon. Megjithëse me numër të reduktuar, kjo forcë vazhdon t’i ruajë kufijtë e Kosovës. Ndërkaq, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut janë anëtare të saj. Edhe Kosova ka shprehur synimin për anëtarësimin në këtë aleancë, duke krijuar grup punues, i cili do ta përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për aplikim.