Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bogujevci: Qytetarët duhet të ndëshkojnë deputetët që s’angazhohen

Qytetarët duhet të ndëshkojnë deputetët që nuk kanë angazhim në seancat e Kuvendit të Kosovës, ka thënë nënkryetarja e këtij institucioni, Saranda Bogujevci.

Një raport i Institutit Demokratik të Kosovës më 5 korrik tregoi se nga 45 seanca të mbajtura në Kuvend në sesionin pranveror të këtij viti, 23 prej tyre dështuan për shkak të mungesës së kuorumit.

Megjithatë, Bogujevci thotë se deputetët po kanë arsye valide për mungesa dhe sipas saj, janë vetëm disa individë që iu mungon angazhimi.

“Janë disa elemente që janë paraqitur vetëm si aspekt statistikor”, ka thënë Bogujevci kur u pyet për raportin e KDI-së në “60 Minuta” të KTV-së. “Kemi arsye të ndryshme pse mungojnë deputetët. Prej kohës kur janë liruar masat anti-COVID në Kosovë e më gjerë, kemi pas më shumë udhëtime të deputetëve në kuptimin e prezencës së tyre fizike në ndonjë organizimi që kanë qenë të ftuar, të cilat deri asokohe kishin qenë vetëm virtualisht. Kemi pasur raste kur ka pas kuorum në sallë, por s’ka pas kuorum për vendimmarrje”.

Nënkryetarja e Kuvendit thotë se është e padrejtë të konsiderohen të gjithë deputetët e papërgjegjshëm kur nuk ka kuorum.

Edhe Komisioni Evropian i kërkon Kuvendit t’i ndëshkojë deputetët që mungojnë pa arsye Arbëri Komisioni Evropian i kërkon Kuvendit t’i ndëshkojë deputetët që mungojnë pa arsye

“Është ndërtuar një imazh shumë i keq karshi deputetëve. Po punohet, ka angazhim. Ka individë që s’kanë angazhim. Qytetarët duhet me e vlerësu punën e secilit deputet. Duhet me ndëshku deputetin në zgjedhje”, shtoi ajo. 

Bogujevci paralajmëroi shumë shpejt një rregullore të re për Kuvendin, ku detyra do t’i jepet Kryesisë për të nxjerrë një akt të brendshëm që pritet të përcaktojë kushtet dhe kriteret e pjesëmarrjes së deputetëve nëpër seanca, komisione e udhëtime.