Arbëri

Deputetët morën mëditje për seancat në të cilat munguan

Gjatë gjashtë muajve deputetët i kanë bërë 699 mungesa në seanca plenare, thuhet në një raport të KDI-së. Për pasojë, nga 45 seanca të mbajtura gjatë kësaj kohe, 23 sosh kanë dështuar shkaku i mungesës së kuorumit. Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit, ka thënë se në secilën nga seancat e dështuara më shumë se 90 deputetë ishin nënshkruar për mëditje, e shumë nga ta më pas e kanë braktisur sallën plenare

Kuorumi i munguar në seancat e Kuvendit të Kosovës është ndër penguesit më të mëdhenj të përmbushjes së agjendës legjislative, është konstatuar në një raport të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) që është publikuar të martën në Prishtinë.

Bazuar në monitorimin e bërë, KDI-ja ka vlerësuar punën e Parlamentit për gjashtëmujorin e parë të këtij viti dhe është konstatuar se shkaku kryesor i ngecjes së punimeve është mungesa e ligjvënësve në mbledhjet plenare.

Gjatë gjashtë muajve deputetët i kanë bërë 699 mungesa në seanca plenare. Nga 45 seanca të mbajtura gjithsej, 23 nga to kanë dështuar shkaku i mungesës së kuorumit, përkatësisht mungesës në sallë të së paku 61 prej 120 deputetëve sa i ka Kuvendi.

Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit nga KDI-ja, tek ka prezantuar raportin, ka thënë se në secilën nga seancat e dështuara mbi 90 deputetë janë nënshkruar për mëditje, por që seanca ka dështuar për mungesë kuorumi.

“Kjo vetëm sa e shpërfaq problemin e disa legjislaturave të Kuvendit, të mungesës së përgjegjësisë individuale të deputetëve karshi obligimeve që ata i kanë, si përfaqësues të qytetarëve, që nënshkruhen në listat e pjesëmarrjes, por që nuk qëndrojnë në seancë gjatë dhe deri në përfundim të saj”, ka thënë Haxhiu.

Mbështetur në raport, problem përbën fakti i dështimit të votimit edhe të disa ligjeve bazike, për kalimin e të cilave duhet shumicë e thjeshtë e votave, gjë që nuk ka arritur të sigurohet nëpër seanca.

Në KDI kanë thënë se ka shumë projektligje të rëndësishme, miratimi i të cilave ka mbetur peng i numrave për votim. Përgjegjësinë për këtë ua kanë faturuar deputetëve të partive në pushtet.

“Duke marrë parasysh që barrën kryesore për mbarëvajtjen e punimeve dhe përmbushjen e agjendës e ka shumica parlamentare, përkundër një shumice të konsoliduar në numra, megjithatë duket se kjo vlerë numerike nuk po reflekton edhe në fuqinë politike për të marrë vendime të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Haxhiu gjatë prezantimit të raportit.

Mungesa e kuorumit, sipas saj, është shkaktuar edhe nga udhëtimet e deputetëve jashtë vendit, të cilat, sipas saj, në shumicën e rasteve zhvillohen pa një agjendë të qartë dhe me mungesë informatash se çfarë kanë prodhuar ato udhëtime.

Mbështetur në raportin e KDI-së, mungesat e deputetëve kanë ndikuar që agjenda legjislative të ngecë në përmbushje.

Nga 65 projektligjet që janë duke u shqyrtuar, vetëm 14 prej atyre janë ende brenda afateve procedurale të parapara me Rregulloren e Punës. Ndërkaq 51 projektligjet e tjera i kanë kaluar të gjitha afatet procedurale për shqyrtim e miratim, siç parashihen me Rregullore.

Afatet procedurale për shqyrtim kanë kaluar edhe për draftrregulloren e re të punës së Kuvendit, dokument ky që ende nuk është miratuar.

Deri më tash Kuvendi ka miratuar 39 për qind të ligjeve që i janë proceduar – nga 108 projektligje të vëna në procedurë brenda gjashtë muaj, janë miratuar 43 sosh.

“Është e rëndësishme të theksohet fakti se përkundër këtyre, në këtë sesion, ndonëse nuk ka përfunduar ende, është numri më i madh i projektligjeve të miratuara në sesion pranveror që nga legjislatura e pestë e tutje”, ka thënë Haxhiu.

Në rastet kur shqyrtohen marrëveshje ndërkombëtare për miratimin e tyre kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve. Në këtë aspekt, sipas KDI-së, gjatë këtij sesioni, opozita është treguar kryesisht konstruktive, edhe pse në disa raste e kishte kushtëzuar votën.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ishte zotuar se do t’ua hiqte mëditjet deputetëve që nuk qëndrojnë në sallë gjatë shqyrtimit dhe votimit të ligjeve. Në DESKU-n e KTV-së ai pati thënë se, bazuar në Ligjin për përgjegjësitë e deputetëve, ligjvënësit nuk mund të mungojnë në seancë pa e lajmëruar kryetarin e Kuvendit, dhe nëse nuk kanë arsye të fortë të mungesës.

“Nëse nuk e bën këtë, unë kam të drejtë të marr masa për të siguruar funksionalizimin e institucioneve të Kosovës, para së gjithash, të Kuvendit. Mos harroni, kur nuk funksionon Kuvendi, nuk funksionojnë shumë trupa të tjera”, pati thënë Konjufca. “Me masa mund të shkojmë deri në ndaljen e pagës, pjesëve të caktuara, kompensimit material... Do të shkojmë edhe këtu, meqë kemi arritur në një shkallë ku mbi 60 deputetë të Kuvendit të Kosovës po janë të papërgjegjshëm”.

Por, masa të tilla nuk janë parë.