Qarkullimi në rrugën rajonale Pejë-Kullë-Rozhajë është ndërprerë që nga ora 9:30 e ditës së sotme. Në pikën kufitare në Kullë, Radios Mali i Zi i është thënë se për rregullimin terrenit duhen së paku dy ditë.
Sipas informacioneve që ka televizioni publik i Malit të Zi nga pikëkalimi kufitar në Kullë, deri tek ndalimi i qarkullimit të automjeteve ka ardhur si pasojë e rrëshqitjeve të dheut tek vendi i njohur si “Uji i Savës”, gjë që ka bllokuar të dy kahet e rrugës.
Seksioni në të cilit kanë rënë disa tonë gurë shkëmborë ndodhet mes pikës kufitare mes Malit të Zi e Kosovës, transmeton Koha.net.
“Për mirëmbajtjen e një pjese të rrugës ku ka ndodhur rrëshqitja e dheut, përgjegjëse është Kosova. Për pastrimin e rrugës dhe hapjen e saj për qarkullim, nevojiten së paku dy ditë, që do të thotë se kaq kohë do të zgjasë ndalesa e qarkullimit mes Rozhajës dhe Pejës”, i kanë thënë Radio Malit të Zi nga pikëkalimi kufitar në Kullë.

Për Koha.net, nga Policia e Kosovës në Rajonin e Pejës kanë konfirmuar se është bllokuar rruga si pasojë e të reshurave atmosferike të ditës së djeshme, që kanë vazhduar pothuajse tërë natën.
Të gjithë qytetarëve që udhëtojnë për në Kosovë, Mali i Zi u rekomandon shfrytëzimin e rrugës rajonale Rozhajë-Mitrovicë.
Edhe
Bllokohet rruga Pejë-Rozhajë për kamionë

Edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka njoftuar për bllokimin e rrugës Pejë-Kullë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, dje dhe sot dhe për pasojë ka rrëshqitur një masiv i madh të gurëve dhe dheut, në segmentin mbi doganë.
“Intervenimi i Ministrisë përmes kompanisë ka qenë i menjëhershëm, por pa efektin për të mundësuar lëvizjen e lirë të automjeteve. Duke qenë se rreziku vazhdon të ekzistojë, në konsultim me inxhinierët tonë, kemi konstatuar se rruga duhet të mbyllet për 24 orë”, ka thënë Lekaj.
Ministria ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe u ka sugjeruar qytetarëve që të zgjedhin rrugë alternative.
