Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Blinkeni të enjten në Tiranë: Shqipëria, partnere kyçe në Ballkanin Perëndimor

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të qëndrojë të enjten në Tiranë për një vizitë disaorëshe.

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se Blinkeni do ta zhvillojë këtë vizitë me qëllim forcimin e marrëdhënieve të SHBA-së me Shqipërinë.

DASH-i ka thënë se Shqipëria është partner kyç i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe “një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

Pas vizitës së tij në Shqipëri, Blinkeni do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih që do të fillojë nga e premtja, si pjesë e delegacionit të SHBA-së të kryesuar nga Zëvendëspresidentja Kamala Harris.

“Sekretari do të mbajë takime dypalëshe për të nënvizuar mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, për të vazhduar diskutimet me partnerët se si të arrihet paqe dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin tonë të palëkundur për sigurinë transatlantike”, thuhet në njoftim, raportoi “Pavlovic Today”.