Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka diskutuar të enjten me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për rëndësinë e marrëdhënieve strategjike dypalëshe, për zhvillimet në rajon, solidaritetin me Ukrainën dhe angazhimi në krah të aleatëve në NATO-s.
Begaj e ka cilësuar si shumë të rëndësishme vizitën e Blinkenit në Tiranë, duke thënë se kjo tregon se partneriteti strategjik mes dy vendeve është më i fortë se kurrë.
“Kjo vizitë është mesazh i fortë në mbështetje të shqiptarëve, politikës tonë të jashtme dhe të ardhmes së Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE”, ka thënë ai, raportoi “TCH”.
Ai më tej i shprehu Blinkenit mirënjohjen për atë që SHBA-ja ka bërë e po bëjnë për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.
“Jemi falënderues për atë që SHBA-ja ka bërë dhe po bëni për demokracinë shqiptare, sundimin e ligjit, veçanërisht reformën në drejtësi, mbrojtjen, sigurinë dhe sigurinë kibernetike, arsimimin dhe ekonominë përmes programeve të ndryshme mbështetëse. Shqipëria është e përkushtuar të vazhdojë të kontribuojë së bashku me SHBA-në dhe NATO-n për sigurinë rajonale dhe globale”, deklaroi ai gjatë bisedës me Sekretarin amerikan të Shtetit.
“Unë e shoh këtë vizitë si një të ardhme të ndritur për Shqipërinë, partneritetin tonë strategjik që do të zgjasë për shumë se 100 vjet të tjera”, ka thënë ai.