Arbëri

Blakaj: I neveritshëm debati për drejtësi, hipokritë klasikë

Ish-prokurori special, Elez Blakaj, e ka quajtur të neveritshëm debatin në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku u diskutua mbi arrestimin e kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për "keqpërdorim të detyrës zyrtare" dhe "konflikt interesi".

Blakaj ka thënë se secili, veçanërisht institucionet, duhet ta lajmërojnë çdo dyshim për secilën vepër penale dhe të bashkëpunojnë me organet “pavarësisht kush është emri i përveçëm e/i të dyshuarit e po ashtu sjelljes, motivit dhe performancës së zbehtë të organeve të drejtësisë!”

“E neveritshme të dëgjosh nivelin e debatit në Kuvendin e Republikes së Kosovës, studio televizive dhe media të ndryshme duke folur për drejtësi, me theks të veçantë ata të cilët dje shanin e organizonin konferenca për shtyp e vraponin pas debateve në televizone të ndryshme, e sot na shesin moral – hipokrita klasik!” ka shkruar Blakaj në Facebook.

Përfitues nga ky debat, ka thënë Blakaj, janë ata që s’duan reforma në drejtësi.

“Është e dukshme dhe e kuptueshme se përfituesit më të mëdhenj nga e gjithë kjo rrëmujë janë të gjithë ata të cilët nuk janë të interesuar të ketë reforma në drejtësi. Madje të gjithë këta përfitues, lutën vazhdimisht që të ketë sa më shumë debate, tensione, komente dhe përplasje të tilla sepse kështu mbijetojnë! Andaj, sa më pak që flitet dhe komentohet për “drejtësinë”, aq më shumë reforma do të kemi!”

Blakaj u ka bërë thirrje gazetarëve të kërkojnë informacione për fatin e mijëra lëndëve të regjistruara “si PPN (penale të ndryshme)”.

“E frikshme si trajtohen dhe çfarë fshihet aty!” ka thënë Blakaj.