“Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetëse që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit, përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar”, ka thënë ministrja Hajdari
Kosova do jetë përfituese e programit të Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët” me vlerë 4.2 miliardë euro, e ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se shteti është ndër vendet e para që bëhet pjesë e kësaj skeme.
Marrëveshjen që Kosova të jetë pjesë e këtij programi, ministrja Hajdari e ka nënshkruar me datën 11 maj, në ambientet e Komisionit Evropian në Bruksel, bashkë me drejtoreshën e përgjithshme për Tregun e Brendshëm të BE-së, Industrinë, Ndërmarrësinë dhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme, Kerstin Jorna.
Në një konferencë për media, Hajdari ka theksuar të enjten se përfshirja e Republikës së Kosovës në Programin “Tregu i Përbashkët”, për periudhën kohore 2021–2027, është një hap shumë i rëndësishëm drejt procesit të integrimit të Kosovës në BE.
“Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetëse që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit, përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar”, ka thënë ajo.
Përmes programit të BE-së “Tregu i Përbashkët”, bizneset dhe organizatat e Kosovës, pos që mund të jenë përfituese vetanake, ato mund të ndërveprojnë edhe me bizneset dhe organizatat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve në proces të anëtarësimit në BE.
Ministrja Hajdari ka thënë se Kosova ka negociuar pjesëmarrjen në shtyllat të cilat janë të dedikuara për vendet joanëtare të BE-së, si: Forcimi i konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së NVM-ve; Mbikëqyrja e tregut; Operacionalizimi dhe zhvillimi i tregut të brendshëm të mallrave dhe shërbimeve, si dhe politika e konkurrencës në një union më të fortë dhe digjital; Standardizimi i raportit financiar dhe jofinanciar ndërkombëtar, përfshirë dhe standardet e auditimit; si dhe Mbrojtja e konsumatorit dhe siguria e produkteve.
Mali i Zi dhe Maqedonia kane nënshkruar më prill 2023 përfshirjen në program, Kosova më 11 maj, ndërsa vendet e tjera të rajonit nuk e kanë nënshkruar ende këtë marrëveshje.
Ministrja Hajdari ka treguar se kush mund të aplikojë dhe përfitojë nga ky program i “Tregut të Përbashkët”.
“Në këtë program domethënës dhe për ekonominë e Kosovës, të drejtë aplikimi kanë shumë mekanizma, nisur nga: Institucionet qeveritare; Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM); Odat ekonomike dhe Dhomat e tregtisë, industrisë; Organizatat e konsumatorëve, përfshirë OJQ-të, veçanërisht ato që janë për mbrojtje të të drejtave të konsumatorit; Institucionet arsimore; Sindikatat e fermerëve; Fermerët, Bujqësia; Peshkatarë, akuakulturistë, pronarë anijesh; Ndërmarrjet e mëdha; Pikat Kombëtare të Kontaktit – NCP; Shoqatat e Prodhuesve; Studiues/Qendra/Institucione kërkimore; Ndërmarrjet shtetërore; Qendrat e trajnimit etj.”, ka bërë ët ditur ministrja Hajdari.
Aplikimi për të gjitha këto entitete bëhet direkt në thirrjet që hapen nga Komisioni Evropian.