LAJMET E MBRËMJES

BE-ja do t’i krijojë Kosovës qasje në programin 4.2 miliardë eurosh

Është shënuar java e pronësisë industriale dhe inovacionit, në një tryezë me temën “Gratë në Inovacion dhe Kreativitet”. Në këtë aktivitet, ministrja Rozeta Hajdari tregoi se Kosova do të nënshkruajë pas dy javësh një marrëveshje me BE-në, nëpërmjet së cilës mundësohet qasja në 4.2 miliardë euro të Programit të Tregut të Përbashkët

Pas dy javësh Kosova do të nënshkruajë marrëveshjen për pjesëmarrje në Programin e Tregut të Përbashkët, nëpërmjet të cilit Bashkimi Evropian (BE) ka vënë në dispozicion për shtetet gjithsej 4.2 miliardë euro.

Gjatë një aktiviteti për shënimin e Ditës së Inovacionit dhe Pronësisë Intelektuale, ministrja Rozeta Hajdari ka thënë se përbën lajm të rëndësishëm marrëveshja që pritet të nënshkruhet në Bruksel.

“Kemi filluar negociatat dhe i kemi përmbyllur për marrëveshjen e pjesëmarrjes në Programin e Tregut të Përbashkët, të Bashkimit Evropian, në gjithsej 4.2 miliardë euro, ku shumë biznese tona të vogla dhe të mesme mund të aplikojnë për përfitime në thirrjet e hapura si një mundësi e shkëlqyeshme shfrytëzimi që bizneset e inovatorëve mund të jenë përfitues për përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe industrisë dhe kjo marrëveshje do të nënshkruhet më 11 maj në Bruksel”, ka bërë të ditur ministrja Hajdari.

Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë theksuar se Programi i Tregut të Përbashkët është një mekanizëm i rëndësishëm për arritjen e qëllimit për përmirësim të mjedisit të biznesit dhe zhvillim të konkurrueshmërisë, nëpërmjet të cilit synohet të zhvillohet industria, ndërmarrësia dhe tregtia.

E, Programi për Treg të Përbashkët synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit, përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar. Programi do t’i mbështetë këta sektorë, me një buxhet prej 4.2 miliardë eurosh për periudhën 2021–2027.

Kosova, nga fundi i nëntorit të vitit 2021, zyrtarisht ka filluar negociatat për anëtarësim në këtë program dhe me marrjen e këtij statusi, kompanitë kosovare kanë mundësi të përfitojnë nga shpalljet e hapura të këtij programi.

E, në shënimin e Ditës së Inovacionit dhe Pronësisë Intelektuale, që për temë pati “Gratë në Inovacion dhe Kreativitet”, kryeministri Albin Kurti theksoi se qëllimi i Qeverisë që drejton është që të mos e lërë askënd në gjendje të pasigurisë financiare dhe foli edhe për punësimin e grave.

“Për dy vjet, janë punësuar rreth 5 mijë gra dhe është rihapur thirrja për biznese për mbështetje të 50 për qind të pagës për 3 muajt e parë nëse punësojnë gra. E, afër 1,500 familje kanë të paktën një anëtar të punësuar, prej tyre 603 gra, nëpërmjet masës ‘Qeveria për familje’”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për marrjen e kredive duke thënë se rastet kur gratë marrin kredi janë më të arsyeshme sesa ato kur marrin burrat.

“Në Kosovë, por edhe në shumicën e vendeve të botës kredi marrin më shumë burrat sesa gratë. Ky krahasim është duke lëvizur çdo ditë dhe duhet të shkojë në një qasje më të barabartë. Arsyet pse gratë kërkojnë kredi janë në të shumtën e rasteve më të arsyeshme e më dobiprurëse sesa ato për të cilat kërkojnë burrat kredi”, u shpreh kryeministri Kurti.

Në këtë aktivitet u trajtua edhe çështja e mbrojtjes së të drejtës autoriale. Zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani, theksoi se është përfunduar një proces i rëndësishëm i reformimit të kornizës ligjore për këtë çështje.

“Ndryshimet që sjell ky projektligj kontribuojnë në funksionim më të mirë të së drejtës së autorit në tregun digjital, do të sigurojë një sistem efikas të menaxhimit kolektiv të të drejtave të autorit dhe të të drejtave të përafërta, duke qenë segment kryesor që siguron kompensimin e autorëve për përdorimin e veprave të mbrojtura”, ka thënë Osmani.

Ditët e Inovacionit dhe Pronësisë Intelektuale shënohen çdoherë në javën e fundit të muajit prill.