Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bislimi: Në konferencën për sigurinë, Serbia tregoi se është e dobët ta ofrojë atë

Pas kthimit në Kosovë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se me anë të sjelljes së saj të enjten, Serbia ka pranuar në një konferencë për sigurinë se është e dobët në ofrimin e sigurisë.

Në një status në Facebook, të enjten mbrëma, Bislimi ka shtuar se është absurde që Serbia të pranojë vetë se ka elemente kriminale që duan ta cenojnë sigurinë.

“Arsyeja pse jemi kthyer është diku krejt tjetër, sepse ne kemi pasur për qëllim që Beogradit, korit diplomatik dhe qytetarëve atje t'i ofrojmë versionin e Kosovës mbi zhvillimet që janë edhe në Kosovë edhe drejt normalizimit të situatës”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Bislimi ka njoftuar se do të përpiqet të kyçet online në tryezën e diskutimit, pasi të jetë fizikisht prezent i është pamundësuar nga autoritetet serbe që nuk kanë garantuar për sigurinë e tij.

 

Bislimi u nis për Beograd të enjten, për të marrë pjesë në dy konferenca të ndryshme, por pak pa mbërritur në kryeqendrën e Serbisë, u desh të kthehej prapa, me arsyetimin se “nuk ka siguri të mjaftueshme” për të.