Arbëri

Bislimi kërkon të ndahet procesi i integrimit nga dialogu, Dvorak: Këto janë të lidhura ngushtë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është shumë me rëndësi që të ndahet procesi i dialogut Kosovës – Serbi nga procesi i integrimit të Kosovës në BE.

Bislimi ka ripërsëritur qëndrimin që e dha kryeministri Albin Kurti në Shkup të hënën, që tha se duhet ndarë këto dy procese.

Bislimi në konferencën e përbashkët me ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, po ashtu ka thënë se është me rëndësi që BE-ja t’i heqë masat që ka vendosur ndaj Kosovës.

“Ne kemi ndarë shumë momente historike dhe suksese me qeverinë çeke. Më 15 dhjetor të vitit 2022, kryeministri Kurti në Pragë paraqiti aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Puna jonë me Republikën Çeke ka sjellë rezultate. Për shkak të këtij bashkëpunimi të shkëlqyeshëm ne kemi ngritur bashkëpunimin në nivelin e ambasadorëve me të drejta të plotë. Ne po ashtu kemi biseduar për masat aktuale kundër Kosovës. Pozita jonë është që masat duhet të hiqen, por më e rëndësishme është që procesi i dialogut të ndahet nga procesi i integrimit në BE”, ka thënë Bislimi.

E ministri Dvorak, tha se procesi i integrimit të Kosovës në BE është i lidhur ngushtë me dialogun Kosovë – Serbi.

Dvorak ka thënë se Kosova është nën presion për të treguar pozitivitet e konstruktivitet në dialog me Serbinë.

“Shprehja e miqësisë përfshin edhe të qenit i hapur e i sinqertë. Integrimet e mëtutjeshme të Kosovës në BE janë të lidhura ngushtë me dialogun me Beogradin”, ka thënë Dvorak.

Ai ka shtuar se Republika Çeke është e gatshme ta ndihmojë Kosovën në këtë rrugë e po ashtu në anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare.

“Nuk më pëlqen ta them hapur, por duhet të them se Kosova është nën presion për të treguar pikëpamje pozitive e konstruktive në dialog me Serbinë”, tha Dvorak.

Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Dvorak ka thënë se beson se është i mundur anëtarësimi.

https://www.koha.net/arberi/406636/kurti-te-ndahet-procesi-i-anetaresimit-te-kosoves-ne-be-nga-normalizimi-i-marredhenieve-me-serbine/