Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Ministri çek s’pranon idenë e Kosovës se dialogu duhet ndarë me integrimin

Ministri për Çështje Evropiane i Çekisë, Martin Dvorak, ka qëndruar të mërkurën në Kosovë, ku është takuar me udhëheqësit e shtetit. Ndonëse ka ofruar mbështetje për të gjitha proceset integruese të Kosovës, ministri çek nuk është pajtuar me qëndrimin e Qeverisë që integrimi në BE të mos ndërlidhet me dialogun me Serbinë

Thirrja e Qeverisë që procesi i dialogut të ndahet nga ai i integrimit evropian është kundërshtuar të mërkurën nga Çekia, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe mbështetës i anëtarësimit të Kosovës në bllokun evropian.

Reagimi i ministrit për Çështje Evropiane i Çekisë, Martin Dvorak, u bë pasi zv.kryeministri Besnik Bislimi e vlerësoi të rëndësishme kërkesën e Kosovës.

“Është pozita jonë që masat duhet të hiqen sa më shpejt që është e mundur, por më e rëndësishmja, procesi i dialogut duhet të ndahet nga procesi i integrimit të Kosovës që fokusi të kthehet tek aspiratat e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Bislimi.

“Shprehja e miqësisë përfshin të qenit i hapur dhe i sinqertë. Integrimet e mëtutjeshme të Kosovës në BE janë të lidhura ngushtë me dialogun me Beogradin”, ka thënë Dvorak.

Ministri çek gjatë vizitës së tij në Prishtinë ka ofruar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës, si dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Por, Dvorak nuk ishte i qartë se cili është qëndrimi i shtetit që përfaqëson lidhur me masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Pranoi se Kosovës është duke iu bërë presion.

Edhe Bislimi kërkon të ndahet procesi i integrimit nga dialogu, Dvorak: Këto janë të lidhura ngushtë Arbëri Bislimi kërkon të ndahet procesi i integrimit nga dialogu, Dvorak: Këto janë të lidhura ngushtë

“Nuk më pëlqen që ta them hapur, por më duhet ta them se Kosova është nën presion për të treguar pikëpamjen e saj pozitive dhe konstruktive ndaj dialogut me Serbinë”, ka deklaruar Dvorak.

Para konferencës me Bislimin, ministri i Çekisë është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

Sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në BE, në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.