Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

​Bislimi sqarohet për reagimin e Berges, thotë se nuk ishte përgënjeshtrim

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se nuk është përgënjeshtruar nga zëvendëssekretari i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, për shkrimin në Twitter, por vetëm se është korrigjuar një term që e ka përdorur.

Më 10 mars, Bislimi kishte shkruar në Twitter se Berge ka mirëpritur iniciativën e Kosovës për aplikim për pranim në Këshill të Evropës. Ndërkaq Berge më vonë ishte shprehur se kjo s’ka qenë saktësisht ajo që ishte folur.

Në Komisionin për Integrime Evropiane, Bislimit i janë kërkuar sqarime nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu. Teksa Deliu u shpreh se Berge ka përgënjeshtruar Bislimin, zëvendëskryeministri s’pranoi ta quante përgënjeshtrim reagimin e zëvendëssekretarit të Këshillit të Evropës.

“Nuk jam zëvendëskryeministër i Twitterit , jam zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, unë nuk them se prej të gjitha takimeve në Strasburg, takimi më produktiv, edhe më i mirë ka qenë takimi me Berge. Më duhet t’iu përgënjeshtroj kur thoni se Berge iu ka përgënjeshtruar, ai nuk ka përgënjeshtruar. Ai vetëm e ka korrigjuar një term. Unë nuk kam thënë që ai e ka pranuar, ai ka mirëpritur kam thënë. Është mirëpritur, është një term që zakonisht në gjuhën angleze përdoret kur unë ta tregoj një iniciativë dhe ti e sheh me dashamirësi. Ne nuk kemi thënë kemi dorëzuar aplikacionin dhe ai na dha certifikatën që u bëmë anëtar”, ka theksuar Bislimi, raporton KP.

Ai ka njoftuar se një ditë pas rastit ka biseduar me Bergen, ai ka shprehur keqardhjen për keqinterpretimin që i është dhënë në Kosovë. Sipas Bislimit kanë qenë katër personalitete që e kanë zmadhuar këtë problem, por që nuk përmendi emra. Bisilimi insiston se në sytë e Berge nuk ka kurrëfarë keqkuptimi.