Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se masat e fundit të Serbisë ndaj Kosovës janë përpjekje për t’i mbuluar dështimet e mëhershme të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Të hënën Qeveria e Serbisë e shpalli Kosovën si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale” dhe miratoi projektligjin i cili parasheh ndjekjen penale të atyre që, sipas Beogradit, persekutojnë popullatën serbe në Kosovë. Këtë veprim të Serbisë ndërkombëtarët e kanë cilësuar si shkelje të marrëveshjeve të dialogut dhe kanë kërkuar rishqyrtimin e vendimeve të marra.
E në “Interaktiv” të KTV-së, Biserko të premten ka thënë se me veprimet e fundit Vuçiqi po përpiqet t’i rikthejë serbët e larguar nga institucionet e Kosovës pasi ua kishte ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhje.
“Ideja e kësaj ishte që KFOR-i dhe EULEX-i do të ishin në veri dhe serbët do të jetonin ashtu siç jetonin. Por ata nuk patën sukses sepse Kurti e dërgoi policinë atje para se dikush mund të reagonte. Prandaj këtë veprim të Vuçiqit e shoh si reagim për realitetin e ri në Kosovë. Natyrisht, duhet pasur në mendje se Serbia apo elita serbe po pret që Trumpi të fitojë zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe pastaj për të pranuar ndonjë marrëveshje të re ndarjeje apo diç tjetër. Prandaj po e shoh këtë si një manovër për të mbuluar gabimet që Vuciqi ka bërë në të kaluarën kur i la serbët pa asgjë sepse ata nuk janë në institucione, nuk morën pjesë në zgjedhje, janë të braktisur totalisht dhe pa ndonjë udhëheqësi sepse Lista Serbe është jashtë lojës sidomos pas sulmit të Banjskës. Prandaj kjo po ndodhë sepse një pjesë e nacionalistëve po e akuzojnë Vuciqin që e dorëzoi Kosovën dhe kështu ai dëshiron ta mbulojë këtë dështim me realitete të reja të cilat ai i ka krijuar”, ka thënë Biserko.
Biserko ka thënë lëvizjet e Serbisë paraqesin shkelje të Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Presionin dhe kritikën ndërkombëtare ndaj Serbisë, ajo e ka parë si test nëse me të vërtetë Vuçiqi është i orientuar kah Bashkimi Evropian.
Duke marrë parasysh fondet evropiane, Biserko ka thënë se Vuçiqi do të përpiqet të manipulojë komunitetin ndërkombëtar dhe serbët e përfshirë.
“Nuk jam fort e sigurte si do ecë para me këtë gjë, por supozoj se do të gjejë mënyra tjera për të manipuluar”, ka thënë ai. “Dhe të gjithë e dinë se ai manipulon, por siç e dini strategjia e Perëndimit është që Serbia të qëndrojë me Perëndimin dhe që ta largojë Serbinë nga ndikimi rus. Se sa do të kenë sukses, është vështirë për të thënë sepse Rusia është shumë ndryshe dhe se në Serbi opinionin publik është kryesisht prorus. Dhe nuk është vetëm në këtë sferë të politikës, por në media, në akademi, në sferën e sigurisë dhe kjo shihet se si Vuçiqi i dërgon ministrat në Kazan të Rusisë për çështje të sigurisë e kështu me radhë”, ka deklaruar Biserko.
Sipas saj, për të ardhmen e këtyre masave, por edhe për shumëçka tjetër do të kuptohet pas zgjedhjeve në SHBA. “Ka shumë rëndësi se kush fiton në këto zgjedhje sepse për herë të parë mund të them se dy partitë amerikane kanë një qëndrim fort të ndryshëm rreth asaj se cila duhet të jetë Politika e Jashtme e tyre. Dhe kjo gjë është shumë kruciale jo veç për Amerikën që është shumë e polarizuar por edhe për Evropën dhe botën e gjerë”, ka thënë ajo tek ka shprehur shpresë në fitoren e kandidates demokrate Kamala Harris.
Nëse fiton kundërkandidati i saj, Donald Trump, sipas Harrisit do të mund të shtyhen politika që njerëzit e Trumpit i kërkonin më parë. Megjithatë, sipas saj, Ballkani s’do të jetë më shqetësimi i parë i amerikanëve.
Biserko ka përsëritur qëndrimin se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është njëlloj ndarjeje e Kosovës siç ishte bërë me Bosnjë-Hercegovinën.
Masat e Serbisë që thotë se do t’i ndjekë njerëzit që rrezikojnë serbët e Kosovës, Biserko i ka parë si shfaqje teatrale.
Vendimet e Qeverisë së Serbisë ishin paralajmëruar në shtator nga presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq. Këtë paralajmërim ai e kishte bërë në një adresim për media, e në të cilin kishte prezantuar disa kërkesa, në mesin e së cilave edhe atë për shpalljen e zgjedhjeve në veri e kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.