Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bilanc i rëndë: 254 të vdekur nga COVID-19 në 10 ditët e para të shtatorit

Bilanc i rëndë me COVID-19 është regjistruar në dhjetëditëshin e parë të muajit shtator në Kosovë. Për vetëm dhjetë ditë, betejën me këtë virus e kanë humbur 254 persona.

Të premten u regjistruan 30 të vdekur. Kjo ishte dita e dytë më e rëndë në shtator sa i përket rasteve të vdekjeve. Bilanci më i rëndë qe më 2 shtator, kur vdiqën 32 persona. 29 gushti ishte dita më e zezë me 36 të vdekur si pasojë e koronavirusit brenda vetëm 24 orëve.

Nga 10 ditët e para, vetëm 9 shtatori pati më pak se 20 të vdekur – 19.

Në këto dhjetë ditë, mesatarisht kanë vdekur nga 25 persona në ditë.

Sa i përket rasteve të reja, është shënuar një rënie graduale. Sot u regjistruan 685 raste të reja, përderisa më 1 shtator ishin 1894. Për këto dhjetë ditë janë regjistruar afro 11 mijë raste të reja. Megjithatë më i madh ka qenë numri i të shëruarve. Nga 27 mijë raste aktive sa ishin më 1 shtator, kjo shifër ka rënë në 19 mijë e 923.

Gjendja në spitalet e Kosovës megjithatë vazhdon të jetë e rënduar. Aktualisht janë 1043 pacientë me COVID-19 që po trajtohen në spitalet dhe klinikat e vendit. Nga ta 64 janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Edhe Një i vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë Arbëri Një i vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë

E si pasojë e shifrave ende të larta, është rekomanduar vazhdimi i masave të njëjta anti-COVID, përfshirë kufizimin e lëvizjes, mbylljen e gastronomisë më herët, ndalimin e grumbullimeve e shtyrjen e serishme të fillimit të vitit të ri shkollor.

Nga fillimi i pandemisë e deri tash, në Kosovë janë regjistruar 155 mijë e 995 raste pozitive. Prej tyre 2758 persona kanë humbur betejën me virusin, ndërsa 133 mijë e 314 e kanë mposhtur COVID-19.