Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bie nën 100 numri i të infektuarve me COVID-19 në Gjilan

Komuna e Gjilanit ka njoftuar se ka rënë numri i të infektuarve me Covid-19 në këtë komunë. Por përkundër kësaj, është bërë thirrje për kujdes dhe respektim të masave.

Sipas njoftimit për media, numri i rasteve aktive me Covid 19 në Gjilan ka rënë nën 100.

“Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së epidemisë së kornavirusit, është njoftuar sot me gjendjen e përgjithshme të pandemisë në komunën e Gjilanit, e cila duket kësisoj në shifra: Të shëruar – 3295 persona, të vdekur – 108, raste aktive - 98, mostra në pritje – 100, të spitalizuar – 17, gjithsej të testuar – 9846, kurse gjithsej pozitivë deri tani kanë rezultuar 3500 persona”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se rënia e numrit të të infektuarve nën 100, është lajm i mirë, por u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë t’iu përmbahen rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë.

“Rënia e numrit të të infektuarve dhe i vdekjeve nuk do të thotë që rreziku nga koronavirusi ka kaluar”, ka thënë Haziri, duke kërkuar zbatim të masave – maskë, distancë dhe higjienë personale.