Në Gjilan është duke u ulur vazhdimisht numri i rasteve me COVID-19, ka njoftuar nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili është edhe udhëheqës i Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19 në këtë qytet. Sipas tij janë 433 raste aktive me COVID-19 në Gjilan dhe janë 69 persona të hospitalizuar.
“Infeksioni vazhdimisht po shënon rënie dhe në bazë të kësaj duhet që masat mbrojtëse dhe distance sociale të respektohen edhe më tutje, si e vetmja mënyrë e lehtë që ndihmon në mospërhapjen e virusit. Sot në të dhënat zyrtare kemi 433 raste aktive, 69 persona janë në hospitalizim”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Që nga fillimi i pandemisë në Gjilan janë infektuar 6223 persona me koronavirus, ndërsa 136 prej tyre kanë vdekur si pasojë e COVID-19. Janë shëruar 5654 persona, ndërsa janë 433 raste aktive. Të hospitalizuar janë 69 pacientë, ndërsa po priten rezultatet për 30 mostra.