Arbëri

Berisha: Brenda Kuvendit janë dy grupe që po mundohen me lodhë njëra-tjetrën, por po lodhet populli

Deputeti i komunitetit egjiptian në Kuvendin e Kosovës, Veton Berisha, ka deklaruar se brenda Kuvendit janë dy grupe që po tentojnë të lodhin njëra-tjetrën në rrafshin politik, por sipas tij, në këtë rast po lodhen qytetarët.

Ai ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se sistemi politik në Kosovë është i krijuar që të qeveriset nëpërmjet marrëveshjes politike.

“Janë dy grupe që po mundohen ta lodhin njëra-tjetrën politikisht, por në këtë rast ato s’po lodhen asnjëra, por po lodhet populli. Më vjen keq për këtë situatë. Kjo është e dukshme dhe s’ka nevojë për interpretim. Ne situatën që jemi ne duhet të kemi marrëveshje politike. Sistemi i Kosovës është i krijuar që të kemi marrëveshje. Mund të ndodhë që të qeverisës i vetëm, por kjo ndodh shumë rrallë. Një mandatar që s’i ka 61 deputetë duhet të sigurojë partner për të qeverisur”, ka thënë Berisha.

Për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, deputeti Berisha tha se e ka neglizhuar komunitetin egjiptian në ditën ndërkombëtare të këtij komuniteti, ku tha se u mbajt një aktivitet i pakoordinuar.

“Kemi pasur në neglizhencë të çuditshme sepse ato aktivitete javore kanë pasur të bëhen nën patronazhin e kryeministrit. I kemi dhënë një mundësi kryeministrit që të afrohet me komunitetin me manifestim, e çuditërisht s’ka pasur vullnet”, ka thënë Berisha.

Ai ka shtuar se aktiviteti është mbajtur më 20 qershor, në vend që të mbahej më 24 kur është data zyrtare e këtij komuniteti. Berisha tha se është penguar nga Fazli Stollaj, që sipas tij, është personi i dytë i ministrit në detyrë, Elbert Krasniqi, i partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK).

“Kemi pasur një tryezë nga Zyra e Kryeministrit që ka qenë organizim në moskoordinim. Është mbajtur më 20, në vend që të mbahej më 24 pasi dita e komunitetit egjiptian është më 24. S’kishte simbole e figura...Më 20 qershor, pas fjalimit tim, në dalje të sallës hasa në një pengesë që erdhi nga personi i dytë i ministrit Krasniqi, Fazli Stollaj, që kërkoi që emri i tij të mos përmendej”, ka shtuar deputeti Berisha.

Berisha tha se Stollaj e kërcënoi dhe tentoi ta frikësonte.