Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Berger: Duhet të arrihet sa më shpejt zgjidhja e konfliktit Serbi - Kosovë

Sekretari i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, ka thënë se zgjidhja e konfliktit Serbi - Kosovë duhet të arrihet sa më shpejt.

Berger ka shtuar se i gjithë rajoni po vuan nga mungesa e përparimit në zhvillimin dhe stabilitetin e të dy vendeve.

“Zgjidhja e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës duhet të arrihet sa më shpejt. Të dyja vendet, dhe i gjithë rajoni, po vuajnë nga mungesa e përparimit në zhvillimin dhe stabilitetin e tyre. Prandaj përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE është shumë i rëndësishëm. I dërguari special i BE -së për dialog, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, kanë mbështetjen tonë të plotë. Ata janë duke bërë pikërisht atë që tani për tani është e drejtë: T'i ulin të dyja palët në bisedime. Në fund, do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme, në mënyrë që negociatat të përmbyllen me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe detyruese, që do t'u mundësojë të dy vendeve të bashkohen me BE-në”, ka thënë Berger në një intervistë për Deutsche Wellen.

Berger ka thënë se është parakusht i rëndësishëm që çdo palë të përballet me përgjegjësinë e vet.

“Një parakusht i rëndësishëm është që çdo palë të përballet me përgjegjësinë e vet. Përballja me të kaluarën është e mundur vetëm mbi këtë bazë. Unë e theksova këtë edhe në diskutimet e mia në rajon. Sidoqoftë, përballja me të kaluarën nuk duhet të jetë parakushti i dialogut, sepse kështu bisedimet do të jenë të pamundura. Në këndvështrimin tim është e anasjella: Një marrëveshje e suksesshme mes Kosovës dhe Serbisë do ta bënte më të lehtë përballjen me të kaluarën”, tha Berger.

Sa i përket Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Slloveni më 6 tetor, ai ka thënë se shpreson të shmangen pengesat.

“Ne duam një sinjal të qartë se rruga evropiane e rajonit do të vazhdojë. Prandaj ne shpresojmë shumë që do të arrijmë t'i shmangim pengesat aktuale në mënyrë që të fillojmë përfundimisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat u vendosën në Mars 2020. Zgjidhja është në tryezë - në qershor ajo u mbështet shprehimisht nga 26 shtete anëtare të BE-së”, shtoi Berger.

Edhe Tensionet Kosovë-Serbi me efekt përhapës në rajon Arbëri Tensionet Kosovë-Serbi me efekt përhapës në rajon

Berger ka shtuar se është shumë me rëndësi që të jetësohet Tregu i Përbashkët Rajonal.

“Për ne është vendimtare që në samitin e fundit të Procesit të Berlinit, më 5 korrik, krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të kancelares Merkel, riafirmuan përpjekjet e tyre për të jetësuar Tregun e Përbashkët Rajonal. Ky është një projekt vërtet historik, për të cilin u zotuan të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit në Sofje, në nëntor 2020. Në këtë kontekst, me mbështetjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal RCC, janë duke u negociuar të katra marrëveshjet e reja, përfshi edhe një marrëveshje për lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti dhe një marrëveshje për njohjen e kualifikimeve akademike dhe profesionale. Këto janë marrëveshje që do të sjellin përmirësime reale për njerëzit në rajon, për shembull, nuk do të nevojiten më viza për udhëtimet midis Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës”, tha Berger.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, javën e ardhshme do të jetë në vizitë në Kosovë, ku do të takohet me krerët e shtetit.