Shoqata serbe e familjeve e të kidnapuarve dhe të të vrarëve në Kosovë ka hapur sot, në Beograd, Qendrën Dokumentuese Informative (DIC) “Kosmetske Zhrtve” (Viktimat e Kosmetit), e cila do të merret me mbledhjen e dokumenteve mbi përndjekjet, pësimet dhe shkatërrimin e pasurisë së serbëve dhe joshqiptarëve, - bëjnë të ditur mediat serbe, transmeton Koha.net.
Kryetarja e Shoqatës, Snezhana Zdravkoviq-Markoviq, ka paralajmëruar se i gjithë dokumentacioni i mbledhur do të përdoret për parashtrim padish penale kundër të gjitha shteteve që kanë marrë pjesë, siç citohet të ketë thënë ajo, në agresionin e NATO-s.
Qendra do të ruaj dhe studiojë arkivat e rëndësishme të krijuara para, gjatë dhe menjëherë pas luftës, ka sqaruar ajo.
Ministrja pa portfel në Qeverinë e Serbisë, Sllavica Gjukiq Dejanoviq ka thënë se qeveria do të bëjë të pamundurën për të gjetur të vërtetën mbi të kidnapuarit dhe të zhdukurit.
Kryetari i Shoqatës, Simo Spasiq, i njoftoi gazetarët se para Parlamentit të Serbisë, në “Murin e lotëve”, bashkë me emrat dhe fotografitë e të vrarëve e të kidnapuarve në Kosovë, ka vendosur edhe parullën “Kosovo – No pasaran”, në shenjë përkrahjeje të vendimit të Spanjës që të mos lejojë pranimin e Kosovës në Bashkimin Europian, transmeton Koha.net.