Presidentja Vjosa Osmani ka takuar të martën ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden, si dhe ministren e Azilit, Migracionit dhe Integrimit Social, Anneleen Van Bossuyt.
Takimi është zhvilluar në objektin e Presidencës, ku mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.
Sipas mediumit belg “Belga News Agency”, dy ministret e këtij vendi kanë filluar të hënën misionin diplomatik treditor në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo vizitë përqendrohet në adresimin e mbipopullimit të burgjeve dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Siç raportohet, për të lehtësuar mbipopullimin e burgjeve, qeveria belge po e shqyrton mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimit të një burgu jashtë vendit për shkelësit jo-rezidentë.
Misioni do të përfshijë gjithashtu diskutime në lidhje me ndarjen e aseteve, duke lejuar që një pjesë e të ardhurave kriminale të sekuestruara në Kosovë ose Shqipëri, si rezultat i hetimeve të udhëhequra nga Belgjika, të kthehen në thesarin belg.
Në Kosovë, delegacioni do të diskutojë gjithashtu një traktat dypalësh mbi ndihmën e ndërsjellë juridike për të forcuar bashkëpunimin gjyqësor afatgjatë.
Sipas Verlinden, Kosova po shfaqet gjithnjë e më shumë në dosjet penale belge si qendër për pastrim parash, trafikim njerëzor dhe kontrabandë armësh.
“Ballkani Perëndimor është tani një rajon kyç në luftën tonë kundër krimit të organizuar”, ka theksuar tutje ajo.
Një marrëveshje për shfrytëzim të burgut në Gjilan, Kosova e ka nënshkruar tashmë me Danimarkën.
Kjo marrëveshje parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez.
Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.
Kosova dhe Belgjika diskutojnë për thellim të bashkëpunimit në drejtësi dhe siguri
Zyra për Media e Presidencës ka njoftuar se në takimin e së martës midis presidentes Vjosa Osmani dhe ministres së Drejtësisë të Belgjikës, Annelies Verlinden dhe asaj të Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt, është diskutuar për bashkëpunim në fushën e drejtësisë, sigurisë, sundimit të ligjit, si dhe për procesin e integrimit evropian e bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në njoftim thuhet se Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës dhe ka theksuar se Belgjika mbetet një nga partneret më të besueshme dhe më parimore të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
“Osmani theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke nënvizuar se institucionet e vendit janë plotësisht të përkushtuara në zbatimin e reformave që forcojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe llogaridhënien. Ajo theksoi se qytetarët e Kosovës janë ndër më proevropianët në kontinent dhe se heqja e masave të BE-duhet të ndodh sa më shpejtë dhe se do të ishte një hap i drejtë për rimëkëmbjen e besimit dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit”, thuhet në njoftim.
Në këtë kontekst, në raport me rrugën e Kosovës për integrim në BE, Osmani thuhet se ka shtruar nevojën që Belgjika ta marrë rolin udhëheqës për ta shtyrë përpara aplikimin e Kosovës në BE.
Sipas Osmani, bashkëpunimi i ngushtë në mes Kosovës dhe Belgjikës në drejtësi, siguri dhe mbrojtje është model i partneritetit evropian që forcon paqen, stabilitetin dhe perspektivën e përbashkët.