Disa ditë pasi Ambasadori Amerikan në Kosovë, Greg Delawie, u kishte bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë sa më parë projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, ka ardhur edhe reagimi i Zyrës së BE-së në Prishtinë.
Zyra e BE-së/Përfaqësueses së Posaçme të BE-së, përmes një komunikate dërguar mediave në lidhje me Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, ka deklaruar se Bashkimi Evropian mbështet plotësisht projektligjin, qëllimi kryesor i të cilit është heqja e pushtetit të ekzekutivit për të pezulluar ekzekutimin e dënimit, duke i bërë ato objekt i shqyrtimit të pavarur dhe transparent gjyqësor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne i bëjmë thirrje Kuvendit për të ecur para sa më shpejt që është e mundur me miratimin e këtij ligji. BE-ja ka kontribuar në hartimin e këtij ligji dhe nga fillimi ka mbështetur iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë në këtë drejtim”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së, raporton Koha.net.
Në të njëjtën kohë, Zyra e BE-së në këtë reagim ka thënë se e kundërshton plotësisht amendamentin që ishte propozuar në momentin e fundit në Kuvend “i cili paraqet një dispozitë të re, qëllimi i së cilës është zvogëlimi automatik i dënimit tashmë të dhënë për 1/3”.
“Ky ndryshim është kundër parimeve të sundimit të ligjit, duke zvogëluar sigurinë ligjore dhe praktikisht duke i vënë në pikëpyetje vendimet e gjyqtarëve”, theksohet në këtë reagim.
Zyra e BE-së në Prishtinë thotë se Bashkimi Evropian mbetet i angazhuar plotësisht në forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit në Kosovë dhe për të punuar së bashku me autoritetet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë në këtë përpjekje.
Këto reagime, fillimisht nga Ambasadori Amerikan Delawie, e më pas edhe nga Zyra e BE-së në Prishtinë, erdhën disa ditë pasi deputetët kosovarë nuk qëndruan në numër të mjaftueshëm në seancën e Kuvendit të Kosovës të javës së kaluar, duke pamundësuar kështu kuorumin e nevojshëm për ta votuar këtë projektligj i cili ndodhej në lexim të dytë.
Gjatë prezantimit të projektligjit para deputetëve, ministrja e Drejtësisë, Dhuarta Hoxha, kishte prezantuar ndryshimet ligjore si nevojë për rritjen e efikasitetit dhe zbatimit të ligjit përmes largimit të ndikimit të ekzekutivit në gjyqësor me heqjen e së drejtës që ministri si i emëruar politik të lejoj pezullimin e ekzekutimit të dënimit.
Ambasadori Amerikan, përmes një postimi në Twitter, pati thënë se përkrah projektligjin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë sepse i njëjti “pamundëson kriminelët me lidhje politike që t'i ikin dënimit”.