Arbëri

BE-ja pritet ta heqë Kosovën nga lista e vendeve të sigurta

Rritja e numrit të rasteve të infektimeve me COVID-19 në Kosovë dhe numri i madh i vdekjeve kohëve të fundit, po ndiqet me shqetësim edhe nga Bashkimi Evropian.

Si pasojë BE-ja pritet që së shpejti ta heqë Kosovën nga lista e vendeve të sigurta. Sipas një propozimi që është në procedurë e sipër në Këshillin e Bashkimit Evropian, nga kjo listë pritet të hiqen edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, vende ku po ashtu ka numër të madh të infektimeve.

Sipas burimeve nga Bashkimi Evropian, heqja nga lista e vendeve të sigurta do të ketë pasoja edhe për mundësinë e udhëtimit të qytetarëve të këtyre vendeve në BE.

Për kufizime do të vendosin vendet anëtare të BE-së veç e veç.

Kosova ishte futur në listën e vendeve të sigurta në prag të pushimeve të verës, në kohën kur numri i rasteve ishte jashtëzakonisht i vogël e kur pothuajse s’kishte raste të vdekjes, por tash pas rritjes dramatike vendet e BE-së kanë filluar edhe në mënyrë individuale të marrin masa.

Procedura në Këshill është duke vazhduar dhe ajo pritet të përmbyllet nesër, ndërsa vendimi do të formalizohet të hënën, sipas burimeve të KOHËS.

Mbi 16 mijë raste të reja me COVID-19 janë regjistruar në 10 ditët e fundit në Kosovë, ndërsa numri i vdekjeve në këtë periudhë ka kaluar 100-shin.