Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka cilësuar informata të rrejshme raportimet e medieve në Serbi se ai e ka refuzuar takimin trepalësh në Bruksel, për shkak se është kërkuar të negociohet për urën dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Derisa Bislimi ka thënë se Kosova ka pranuar një marrëveshje trepalëshe, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi, Miroslav Lajçak, në zyrën e tij nuk janë deklaruar rreth kësaj çështjeje. E, burime të KOHËS në Bruksel kanë thënë se nuk e përjashtojnë mundësinë edhe që të ketë takim trepalësh, po qe se deri në ditën e mbajtjes së takimeve palët pajtohen edhe për pikat që duhet të jenë në agjendë
Në Bashkimin Evropian e kanë shprehur pritjen që të martën e 17 shtatorit të zhvillohen në Bruksel takimet në kuadër të dialogut në nivel të kryenegociatorëve, me gjithë pohimet që janë bërë në Beograd dhe në Prishtinë.
Deklarata kundërthënëse janë dhënë të premten në Kosovë dhe Serbi përkitazi me takimin e kryenegociatorëve, i paralajmëruar nga ndërmjetësi i dialogut, Miroslav Lajçak. Pas raportimeve në mediet serbe se pala kosovare që ka refuzuar takimin, për shkak të mospajtimeve që të diskutohet për urën qendrore në Mitrovicë dhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Serbia e ka refuzuar takimin me rendin e ditës, të caktuar nga emisari i BE-së. Sipas Bislimit, Serbia është munduar të imponojë pika të rendit të ditës “të destinuara për konsum të brendshëm politik”.
“Për bisedimet e ardhshme të procesit të dialogut në Bruksel, të caktuara më 17 shtator, Republika e Kosovës ka pranuar një marrëveshje trepalëshe sipas rendit të ditës, të përcaktuar nga ndërmjetësi. Fatkeqësisht, Serbia e refuzoi një marrëveshje të tillë, duke u përpjekur të imponojë pika të rendit të ditës, të destinuara kryesisht për konsum të brendshëm politik. E ftoj Përfaqësuesin Special të BE-së (EUSR) Lajçak ta mohojë dezinformimin e qëllimshëm nga mediet serbe, ku thuhet në mënyrë të rreme se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve”, ka shkruar Bislimi në platformën “X”.
E agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” ka raportuar të premten se Serbia ka kërkuar që në diskutim të përfshihet edhe çështja e Urës së Ibrit dhe formimi i Asociacionit, por që, sipas tyre, Bislimi ka refuzuar.
Në zyrën e Lajçakut nuk kanë ofruar sqarime të premten lidhur me temat, pjesëmarrësit dhe formatin e diskutimeve që do të zhvillohen.
Por burime të KOHËS në Bruksel kanë konfirmuar se ka pasur përpjekje nga të dyja palët për të ndikuar në agjendën e takimeve dhe se, si Prishtina zyrtare, ashtu edhe Beogradi kanë refuzuar propozimet e njëra-tjetrës. Burimet kanë thënë se kjo nuk është hera e parë që palët nuk pajtohen për propozimet e njëra-tjetrës, rreth asaj se çfarë duhet të jetë në agjendë e çfarë jo.
“Prandaj, duke marrë parasysh të gjitha këto qëndrime të shprehura, mund të ndodhë që të martën, më 17 shtator, të ketë takime vetëm bilaterale mes negociatorëve të të dyja palëve dhe përfaqësuesit të BE-së Miroslav Lajçak, por jo edhe takime trepalëshe”, kanë thënë burimet e KOHËS në BE.
Edhe nëse kjo ndodh, nuk do të jetë hera e parë, ngase ka ndodhur shpesh që në kuadër të dialogut, palët të udhëtojnë në Bruksel, por të mos pranojnë që të kenë takime të përbashkëta.
Megjithëkëtë, në BE, në këtë moment, nuk e përjashtojnë mundësinë edhe që të ketë takim trepalësh po qe se deri në ditën e mbajtjes së takimeve palët pajtohen edhe për pikat që duhet të jenë në agjendë.
Më 6 shtator, Lajçak e ka vizituar Kosovën prej ku ka bërë të ditur se është arritur “pajtimi për takimin e radhës” – por nuk ka dhënë detaje të tjera. Më pas, më 10 shtator, diplomati sllovak e ka vizituar edhe Serbinë “për përgatitjen për takimin e ardhshëm në nivel të kryenegociatorëve”. Për urën e Ibrit pati thënë se nuk janë kundër hapjes, porse kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut.
Sa i përket hapjes së Urës në Ibër, nuk kanë ndryshuar qëndrim vendet e QUINT-it, tek kanë kërkuar negociata për të në Bruksel.
Në një përgjigje për KOHËN të ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, është bërë e ditur të premten se ky qëndrim është komunikuar vazhdimisht dhe se me të janë të njohur të gjithë akterët.
“Qëndrimi i ambasadave të vendeve të QUINT-it është komunikuar vazhdimisht dhe është i njohur për të gjithë akterët. Nuk ka asnjë ndryshim në këtë pozicion”, ka thënë Christian Boettcher nga zyra për Komunikim në Ambasadën gjermane.
Përfaqësues të shteteve të QUINT-it në vazhdimësi kanë deklaruar se janë kundër ndryshimit të statusit të Urës së Ibrit. Sipas tyre, kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut me Serbinë.
Të martën e kësaj jave, në një vizitë në veri, kryeministri Albin Kurti pati thënë se për hapjen e urës janë në pritje të koordinimeve të vendeve të QUINT-it me KFOR-in.
“Ne jemi gati. Me konsultime e koordinim. Po i presim QUINT-in dhe KFOR-in. Vazhdimisht jemi në koordinim me ta. Kemi bërë përgatitje dhe punë sa i përket edhe pastrimit të mjedisit rrotull aty edhe të vlerësimit të qëndrueshmërisë së Urës në aspektin teknik dhe fizik”, pati thënë Kurti.
Pak orë pas deklaratës së Kurtit për hapjen e Urës, misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR – ka përsëritur se vendimi për hapjen e Urës qendrore në Mitrovicë të merret në dialog.
“Për çështjen e hapjes së mundshme të Urës së lumit Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar“, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të KFOR-it, Salvatore Mascoli.
Hapja e Urës së Ibrit është paralajmëruar tash e disa muaj nga Qeveria e Kosovës. Mbi të janë kryer edhe testime që konfirmuan se ajo është e qëndrueshme edhe për kalimin e automjeteve.
Veç refuzimit të Qeverisë së Kosovës për të negociuar rreth urës, BE-ja në disa raste është paralajmëruar edhe nga Serbia se nuk do t’i zbatojë ato pika të marrëveshjes, të cilat ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës, siç është anëtarësimi në OKB.
Sa i përket marrëveshjes bazë, zbatimi i së cilës ka ngecur, Lajçak ua ka përkujtuar palëve obligimet tek ka shtuar se nuk ka zmbrapsje nga zotimet e marra përsipër.
I pyetur në Prishtinë për letrën e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, dërguar BE-së, në të cilën shkruante se Serbia nuk i zbaton ato pika që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës, Lajçak pati deklaruar se ky dokument është tërhequr. Këtë gjë nuk kanë pranuar ta komentojnë në BE, teksa ish-kryeministrja dhe kryetarja aktuale e Kuvendit të Serbisë, Bërnabiq, në një intervistë për “Euronews Serbia”, ka thënë se “nuk e di përse Lajçaku e ka thënë këtë”.
“Nuk kam folur me të, por e di cila është e vërteta dhe do ta dëgjojmë kur të jetë koha e duhur për shtetin dhe interesat tona”, ka thënë ajo duke shtuar se “tani nuk është koha”.