Bashkimi Evropian ka thënë se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i prezantuar nga përfaqësuesit e saj më 21 tetor, është më i miri i mundshëm.
Duke iu përgjigjur deklaratës së kryeministrit Albin Kurtit i cili ditë më parë ka thënë se vetë mund ta shkruajë një draft modern evropian të statutit, BE-ja ka deklaruar se Kosova e ka pasur mundësinë ta bëjë këtë vetë qe 10 vjet.
“Kosova e ka pasur mundësinë për 10 vjetët e fundit ta paraqesë një propozim për Asociacionin. Në këtë fazë të avancuar të procesit ku themelimi i Asociacionit pritet të fillojë së shpejti, Kosova ftohet t’i ofrojë komentet dhe sugjerimet e saj për draftin në tavolinë”, ka thënë BE-ja në përgjigje për KOHËN.
BE-ja ka thënë se draftstauti tashmë i prezantuar para Kurtit është modern.
“Siç kemi thënë shumë herë më parë, draftstatuti evropian, i cili iu prezantua kryeministrit Kurti më 21 tetor nga përfaqësuesi i BE-së, Lajçak, dhe këshilltarët diplomatikë të presidentit të Francës, kancelarit gjerman dhe kryeministrit italian, bashkë me emisarin e SHBA-së, Escobar, paraqet një mënyrë moderne evropiane se si të adresohet çështja e ndjeshme e mbrojtjes së pakicave. BE-ja dhe partnerët e saj besojnë se është mënyra më e mirë e mundshme për të adresuar çështjet e të dyja palëve. Ne presim që të dyja palët të vazhdojnë diskutimet mbi bazat e këtij drafti”, thuhet në përgjigje.