Arbëri

BE: Draft-statuti evropian për Asociacionin nuk është “non-paper”, por dokument

Peter Stano

“Në konkluzat e dhjetorit të vitit 2023, Këshilli Evropian mirëpriti gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për ta pranuar draftstatutin që u është propozuar palëve nga ana e lehtësuesit të BE-së. Kjo paraqet pranim formal të dokumentit nga të gjithë 27 vendet anëtare. Ta quash draftstatutin evropian si thjeshtë si vetëm një ‘non-paper’ paraqet mospërfillje të thirrjes nga Këshilli i Bashkimit Evropian për të vepruar në bazë të tij pa vonesa të reja drejt themelimit të tij”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

Deklaratat në Kosovë se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë Serbe është vetëm një “non-paper”, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka cilësuar si mospërfillje të ftesës së Këshillit të Bashkimit Evropian që në bazë të këtij propozimi “evropian” të ecët drejt themelimit të Asociacionit. 

Ai ka thënë se obligimi i Kosovës është formal, është pranuar në dialog me marrëveshjet e vitit 2013 e 2023, është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me shumicën prej dy të tretave dhe propozimi është pranuar “në parim” nga liderët e Kosovës dhe Serbisë. 

Në përgjigjet dërguar gazetarëve, Stano ka thënë se është për keqardhje pse pas një viti prej kur është pranuar në parim nuk ka pasur lëvizje drejt themelimit të Asociacionit.    

“Edhe pas 11 vjetëve  Kosova ende nuk i  ka ndërmarr  hapat e nevojshëm drejt themelimit të tij dhe prandaj nuk është duke përmbushur obligimet e qarta, sipas së drejtës ndërkombëtare, që ishte përsëritur edhe në marrëveshjet e viteve 2015 dhe 2023.  Sipas marrëveshjeve relevante të viteve 2013 dhe 2015 nga dialogu statuti për themelimin e Asociacionit duhet të draftohet dhe diskutohet në dialog. Çfarëdo propozimi duhet të diskutohet me Serbinë dhe lehtësuesin e BE-së dhe duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015. Kjo po ashtu do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund ta draftojë statutin jashtë procesit të dialogut”, ka thënë zëdhënësi Stano.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të heq dorë nga përgjegjësitë e dialogut apo tua delegoi  ato komunave me shumicë Serbe në Kosovë”.

Më tej ka shpjeguar se si, sipas tij, Kosova dhe Serbia e kanë pranuar “në parim”  atë që quhet tashmë “propozim evropian”.

“Në tetor të vitit 2023, në një përpjekje për të avancuar procesin e normalizimit, BE-ja me mbështetje  nga vendet anëtare dhe partnerët si SHBA-ja, formalisht prezantuan një draftstatut evropian për themelimin e Asociacionit. Draftstatuti evropian është i bazuar në modelet dhe praktikat e mira si dhe në kornizën ligjore të Kosovës. Draftstatuti i ishte prezantuar personalisht kryeministrit Kurti  nga ana e lehtësuesit të BE-së bashkë me këshilltarët për siguri kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe të përfaqësuesit të posaçëm amerikan.  Në takimin e nivelit të lartë në mbështetje të dialogut në praninë e presidentit Emmanuel Macron, kryeministres Giorgia Meloni dhe kancelarit Olaf Scholz, të dyja palët e pranuan në parim draftstatutin evropian”, ka thënë Stano.  

Sipas zëdhënësit të BE-së, ky propozim tashmë është shndërruar në një “dokument” që ka formalisht mbështetjen e të gjitha 27 vendeve anëtare të BE-së.

“Në konkluzat e dhjetorit të vitit 2023,  Këshilli Evropian mirëpriti gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për ta pranuar draftstatutin që u është propozuar palëve nga ana e lehtësuesit të BE-së. Kjo paraqet pranim formal të dokumentit nga të gjithë 27 vendet anëtare. Ta quash draftstatutin evropian si thjeshtë si vetëm një  ‘non-paper’ paraqet mospërfillje të thirrjes nga Këshilli i  Bashkimit Evropian për të vepruar në bazë të tij pa vonesa të reja drejt themelimit të tij. Na vjen keq që pas një viti, që kur palët e pranuan dokumentin në parim, nuk është arritur progres në themelimin e asociacionit në përputhje me draftstatutin evropian. Në përputhje me ripërkushtimin zyrtarë ndaj dialogut dhe implementimit të plotë”, ka thënë Stano. 

Ditë më parë, nga Qeveria kanë thënë se dokumenti i propozuar nga BE-ja është “Non-paper”, derisa kryeministri Kurti ka deklaruar se iniciative për fomimin e Asociacionit duhet të vijë nga komunat.