Tash e disa muaj me radhë, zyrtarët e institucioneve të Kosovës që i takojnë Partisë së Pavarur Liberale, subjekt ky politik i komunitetit serb, janë duke u ndaluar në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi nga ana e strukturave të sigurisë së Serbisë.
Rasti i fundit është shënuar më 11 maj të këtij viti, kur autoritetet e Serbisë, në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, i kanë ndaluar anëtarët e Partisë së Pavarur Liberale, Sreçko Spasiq dhe Srgjan Jovanoviq. Ky i fundit është këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, raporton rel.
Ndaj ndalimit të zyrtarëve të institucioneve të Kosovës të komunitetit serb, ka reaguar edhe kryeministri Haradinaj, i cili e ka cilësuar si të papranueshëm këtë akt.
Ndërkaq, këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndalimi nga strukturat e sigurisë së Serbisë të pjesëtarëve të komunitetit serb, që janë pjesë e institucioneve qendrore të Kosovës, është jo vetëm shkelje e Marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë, por cenon rëndë frymën evropiane të bashkëpunimit dhe të idesë së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Si i tillë, ky akt është i paprecedent dhe i dënueshëm. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, fton Brukselin zyrtar, përkatësisht, instancat e Bashkimit Evropian, që seriozisht ta marrin këtë çështje, sepse jo vetëm që zyrtarët e Republikës së Kosovës, të komunitetit serb, po maltretohen, por ata mund të jenë edhe të kërcënuar brenda Kosovës, pasi që Serbia po i stigmatizon si tradhtarë të çështjes serbe, përkatësisht të kombit serb”, thotë Matoshi.
Edhe
Qeveria e Kosovës dënon ndalimin në Serbi të politikanëve serbë të Kosovës
Që nga dhjetori i vitit të kaluar e deri më tash, në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi, strukturat e sigurisë së shtetit serb kanë ndaluar dhe intervistuar edhe Slobodan Petroviqin, deputet i Kuvendit të Kosovës, Boban Stankoviqin, zëvendësministër i Kulturës në Qeverinë e Kosovës, si dhe Nebojsha Jakovljeviqin, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës. Të gjithë këta, janë anëtarë të Partisë së Pavarur Liberale.
-
Reagon partia serbe zyrtarë të së cilës u ndaluan nga Serbia, kërkon ndërhyrjen e BE-së
-
Pacolli: Do të zbatojmë masa ndaj Serbisë pas ndalimit të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës
-
Dy zyrtarë serbë të Qeverisë së Kosovës ndalohen në kufi, reagon Haradinaj
-
Jovanoviqi tregon se çfarë pyetje i bënë autoritetet serbe, bashkë me anëtarët e SLS-së protestuan në Merdare