Bashkimi Evropian ka caktuar ekipin që do t’i vëzhgojë zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë. Anëtari i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, do të jetë shef i misionit të vëzhguesve të BE-së në zgjedhjet e Kosovës.
“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar dhe i angazhuar për ta mbështetur Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe në forcimin e qeverisjes së saj demokratike. Për herë të tretë tashmë, ne do të vëzhgojmë zgjedhjet komunale në Kosovë përmes Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Unë besoj se prania e Misionit do të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, si dhe do të ndihmojë përpjekjet e ardhshme lidhur me reformën zgjedhore. Ne mezi presim të vazhdojmë punën me autoritetet e Kosovës për të forcuar procesin zgjedhor, në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet e misioneve tona paraprake”, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, sipas një njoftimi për media.
Në anën tjetër, Mandl ka thënë se mezi pret që të nisë punën në Kosovë.
Ekipi kryesor do të përbëhet nga 10 ekspertë zgjedhorë. Ai tashmë ka arritur në Prishtinë. 22 vëzhgues afatgjatë do t’i bashkohen misionit në mes të shtatorit. Misioni do të përforcohet me vëzhgues afatshkurtër gjatë ditës së zgjedhjeve. Ekipi do të qëndrojë në vend deri në përfundimin e procesit zgjedhor, përfshirë raundin e dytë të mundshëm, më 14 nëntor.