Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmarrë hapat fillestarë drejt unifikimit të misioneve diplomatike e konsullore. Të dy qeveritë kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët e cila përcakton ngritjen e “Grupit Ndër-Ministror për Përfaqësim të Përbashkët Ndërkombëtar” dhe “Këshillin e Përbashkët për Planifikim Strategjik”.
Me këtë marrëveshje, sipas zyrtarëve të të dyja vendeve, përcaktohen prioritetet afatgjata strategjike dhe bashkërendimi i qëndrimeve politike në arenën ndërkombëtare. Njëkohësisht përcaktohet edhe marrja e detyrimeve konkrete në përfaqësim të ndërsjellë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në organizata ndërkombëtare.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behxhet Pacolli, tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo marrëveshje ka për qëllim shfrytëzimin e plotë të mundësive të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme.
"Synimi është ngritja dhe zhvillimi i mekanizmave të përbashkët të veprimit politik, diplomatik dhe konsullor për t'i dhënë një shtytje angazhimit të ndërsjellë në politikën e jashtme dhe për të fuqizuar rolin e diplomacive tona në arenën ndërkombëtare", tha Zyberaj.
Ai tha se me marrëveshjen e nënshkruar përfitimet do të jenë të dyanshme.
Edhe
Ende pa nisur unifikimi diplomatik Kosovë-Shqipëri shtohen konfuzionet
*
*
*
Por, ndaj nismës për unifikimin diplomatik e konsullor të Kosovës e Shqipërisë kanë reaguar Serbia dhe Rusia. Të dy këto vende që njihen edhe si kundërshtare të fuqishme të pavarësisë së Kosovës, marrëveshjen e kanë cilësuar si hap drejt realizimit të synimeve për, siç thuhet, “Shqipërinë e Madhe”.
Në një deklaratë të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, thuhet se hapa të tillë në Prishtinë dhe Tiranë shkaktojnë shqetësim serioz.
Edhe
Moskës i pengon marrëveshja për politikë të jashtme të përbashkët mes Kosovës e Shqipërisë
“Hapat provokues të Tiranës dhe Prishtinës, të cilat janë në harmoni me zbatimin e konceptit të ‘Shqipërisë së Madhe’, paraqesin shqetësim serioz. Ne konsiderojmë se marrëveshje Kosovë – Shqipëri për unifikimin e misioneve diplomatike në vende të treta, e nënshkruar më 2 korrik të këtij viti, është në këtë kontekst”, theksohet në reagimin e Moskës.