“Drejtësinë e merituar” e pret nga Gjykata e Apelit, familja e Agonis Tetajt, të vrarë nga Shaban Gogaj, që të premten u dënua me 7 vjet e gjysmë burgim për “vrasje nga pakujdesia”.
Në një shkrim në Facebook, ajo ka thënë se kjo nuk është drejtësia të cilën e ka pritur e shpresuar familja. Cacaj ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të ankohet në Apel.
“Ne presim nga Gjykata e Apelit që ta vendosë drejtësinë duke dhënë dënimin adekuat, për vrasjen e bashkëshortit tim dhe babait të dy fëmijëve të mi, Lisit dhe Blinit. Për ne ditët janë të gjata e vitet e dhimbjes po rriten, tashmë kaluan 4 vite dhimbje e sfida nga më të ndryshme! Kjo veç drejtësi nuk është! Andaj, kërkoj publikisht nga Prokuroria e Shtetit që të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit, nga e cila presim që të vendosë drejtësinë e merituar”, ka thënë ajo.
Ankesë ndaj vendimit të Themelores së Pejës, ka paralajmëruar të premten Prokuroria Themelore në Gjilan.
Vrasja kishte ndodhur më 23 shtator 2018. Babai i Agonisit, Isufi pati publikuar videon e momentit kritik duke alarmuar se po manipulohej rasti. Pas kësaj, vepra u rikualifikua si “vrasje e rëndë”, por të premten Gogaj s’u dënua për këtë, por gjykata vendosi se vrasja ishte nga pakujdesia. Në video Shaban Gogaj shihet tek e hap një dollap në arkën e marketit, pronar i të cilit është babai i tij, nxjerr revolen, e drejton kah tre punonjës të të njëjtit biznes, që i kishte larg pak metra, dhe shkrep një plumb drejt tyre.
Procesi gjyqësor është përcjellë me zvarritje të shumta, pas përjashtimit të avokatit të Gogajt, Besnik Berisha.