Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Në mbledhjen e përbashkëte të kryesisë, grupit parlamentar dhe kolegjit të kryetarëve të PD-së, Basha të hënën njoftoi se ka dhënë dorëheqje për shkak të krizës së thellë që ka përfshirë partinë.
Vendimi i Bashës vjen pas rezultatit në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku PD doli e treta në 5 nga 6 bashki.
Në deklaratën e tij, Basha ka thënë se “s’dëshiron të merret me atë se çka ka ndodhur e kush ka qenë gabim e kush ka pasur të drejtë”.
“Fatkeqësisht, përpjekja ime për ta mbajtur PD të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shume demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh te paparimta dhe te pavërteta që krijuan një frymë përçarje, dhe si rezultat sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë. Për këtë arsye dhe për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete, për atë që e kam quajtur vendimin tim më të vështirë politik, kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD, me qëllim dhe i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike si shpresa e vetme për shqiptarët. Kjo nuk është një tërheqje për rehati personale, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë të zhveshur nga çdo shpifje se kjo që ka ndodhur këto 6 muaj është bërë për karrigen e kryetarit”, ka thënë Basha.
Sipas statutit, drejtimin e merr një nga nënkryetaret e partisë të cilët janë Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj. Basha tha se do të vazhdojë të jetë pjesë e PD-së, i angazhuar për të ardhmen e partisë.
Vendimi i Bashës vjen pas rezultatit në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku PD doli e treta në 5 nga 6 bashki.
Partia Demokratike u nda në dy “pole”, pasi Basha përjashtoi nga grupi parlamentar ish-kreun e partisë, Sali Berisha që nisi iniciativë për rithemelimin e partisë me kuvende që morën përkrahje të shumicës brenda partisë.
Reagimi i Berishës
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pasi Basha dha dorëheqje nga posti i kryetarit të PD-së.
“Bashkimi i demokratëve mbi bazën e kontributeve të tyre është përparësia e PD”, shprehet Berisha.
Ish-kryeministri ka thënë se rikthimi te vota është e vetmja rrugë që sjell bashkim dhe “më pas fitoren e PD-së.”
“Ftoj demokratet dhe demokratët kudo që janë të punojmë së bashku për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”, ka shkruar ai në Facebook.
Ambasada e SHBA-së e përshëndet vendimin e Bashës
Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka thënë se vendimi i Bashës meriton respekt.
Në reagim thuhet se vënia e interesave të partisë dhe të vendit mbi ato personale është shenjë e udhëheqjes së vërtetë.
“Shpresojmë që vendimi do të përcaktojë rrugën që Partia Demokratike të ecë përpara drejt së ardhmes. Do të forcojë marrëdhënien e veçantë të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, do të përforcojë mbështetjen për reformat dhe përpjekjet e tjera për qëllimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së dhe do të ritheksojë parimet dhe idealet demokratike mbi të cilat u themelua. Një opozitë e fortë që mund të jetë e gatshme për të udhëhequr është thelbësore për demokracinë. Mbështetja e SHBA-së për demokracinë dhe përkushtimi për të luftuar korrupsionin dhe mosndëshkimin mbeten të pandryshuara”.