Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, i është përgjigjur kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pasi ky i fundit akuzoi Qeverinë në detyrë se po merr merita për projekte që, sipas tij, i takojnë Komunës së Prishtinës.
Në një postim në Facebook, Basha ka thënë se Rama në njërën anë ankohet se Qeveria nuk po e ndihmon kryeqytetin, ndërsa në anën tjetër pranon se për rrugën “Abedin Dino”, që lidh Sofalinë me Kolovicën, Qeveria ka ndarë 1.5 milion euro nga 2.5 milion euro sa ka kushtuar projekti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Të dyja nuk mund të qëndrojnë njëkohësisht, Kryetar. Pak më shumë koncentrim”, ka shkruar Basha.
Ai ka shtuar se nëse 60 për qind e projektit është financuar nga Qeveria, atëherë, sipas tij, “do të ishte më e udhës një falënderim sesa propagandë dhe dezinformim”.
Kryetari i Prishtinës të shtunën ka thënë se për këtë projekt Komuna ka ndarë 1,650,000.00 euro, e Ministria 1,500,000.00 euro (të planifikuara për vitet 2024, 2025 dhe 2026), duke e akuzuar Ministrisë se për këtë vit nuk ka paguar asnjë euro. “Madje, deri më tani Ministria ka realizuar vetëm rreth 600,000.00 € pagesa për vitet 2024-25, ndërsa për vitin 2026 nuk ka paguar ende ASNJË euro”.
Basha ka renditur edhe projekte të tjera infrastrukturore në Prishtinë, për të cilat ka thënë se janë financuar nga Qeveria.
“Rruga Abedin Dino – vlera e projektit 2.5 milionë euro, nga të cilat 1.5 milionë euro financim nga Qeveria Kurti. Vazhdimi i rrugës Bajram Bahtiri me katër korsi – vlera e projektit 2.5 milionë euro, me 1.4 milionë euro financim nga Qeveria Kurti. Kyçja në rrethin e Lakrishtës (ndërlidhja e Unazës së Qytetit me rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë–Mitrovicë dhe rrethrrotullimin e Lakrishtës) – vlera e projektit 4 milionë euro, me 1.4 milionë euro financim nga Qeveria Kurti”, ka shkruar ai në reagim.
Ndërkohë, e ka akuzuar Ramën për propagandë.
“Qytetarët i shohin rrugët, projektet dhe investimet, dhe është mirë me punu Kryetar, jo m’u anku, se propaganda nuk ta zëvendëson punën”, ka shkruar Basha.
Reagimi i Bashës erdhi pasi Rama tha se Qeveria po bën “spektakël politik” me rrugën lidhëse Sofali–Kolovicë “Abedin Dino”, duke theksuar se Komuna e Prishtinës është investitori dhe përgjegjësi kryesor i projektit, ndërsa Ministria e Infrastrukturës vetëm bashkëfinancuese.