Kryeparlamentari Dimal Basha i ka quajtur “të ulëta” dhe të rreme akuzat se ka shkruar kundër UÇK-së në një artikull që ai ka bashkëshkruar me dikë tjetër 12 vjet më parë. Ai ka thënë se nuk mban përgjegjësi për asgjë që është shkruar kundër UÇK-së në atë artikull, dhe se e mbështet luftën e Ushtrisë Çlirimtare.
Basha, emri i të cilit figuron në punimin “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi transnacional, Islami fundamental dhe aleancat e pashenjta”, ka thënë se përgjegjësia e tij në këtë artikull qëndron vetëm për kapitullin për depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.
“Mbaj përgjegjësi vetëm për këtë pjesë dhe nuk kam shkruar asnjë shkronjë, asnjë fjalë dhe asnjë fjali nga kapitujt e tjerë”, ka thënë ai.
Basha ka akuzuar media se për vite e kanë “sulmuar”, shpesh “duke përdorur burime nga gazeta të Beogradit”.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve të partive të tjera që sot, 28 gusht, ta votojnë Nenad Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit nga radhës e komunitetit serb.
Nuk u pajtua me zgjedhjen e tij si kryeparlamentar, Basha flet për dorëheqjen e Liburn Aliun
Basha është deklaruar edhe për dorëheqjen e Liburn Aliut nga pozita e ministrit në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Unë çmoj kontributin e tij si aktivist i LVV-së sic e çmoj kontributin e secilit që ka dhënë shumë për VV-në. Por respektoj edhe punën që ka bë si ministër. Është komplet e natyrshme që të ketë pakënaqësi mes vete sepse edhe unë si deputet kam pasur ndonjëherë pakënaqësi me ministra”.
Aliu pas dorëheqjes së tij të mërkurën është shprehur i zhgënjyer me zgjedhjen e Bashës si kryekuvendar.