Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Enrico Barduani, në informimin e tij të fundit para Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut, ka thënë se rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike.
Ai nënvizoi se “situata në Kosovë është e qëndrueshme, por mbetet subjekt i rreziqeve të përshkallëzimit të papritur, për shkak të një sërë çështjesh të pazgjidhura”. Ai ka deklaruar se pavarësisht sfidave në terren “KFOR ka qëndruar në rrugën e duhur”, duke ndihmuar në “ruajtjen e stabilitetit dhe zbutjen e situatave që mund të kishin çuar në incidente ose shpërthime të paqëndrueshmërisë” dhe duke kontribuar “në ruajtjen e një kuadri sigurie që mund të ndihmonte përpjekjet e vazhdueshme dhe të rëndësishme diplomatike”.
Duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s dhe KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Barduani theksoi se “KFOR-i ka demonstruar - edhe një herë - se është i gatshëm dhe i aftë të luajë rolin e tij dhe të përshtasë qëndrimin e tij, sipas nevojës".
“Që të lëvizim përpara është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina t’i implementojmë marrëveshjet ekzistuese. Të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet që të bëjnë kompromiset e nevojshme”, ka thënë ai.
Ai ka vlerësuar gjithashtu, midis arritjeve të KFOR-it, forcimin e misionit, edhe përmes vendosjes së përkohshme të forcave rezervë, dhe bashkëpunimin e thelluar me bashkësinë ndërkombëtare, organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe.
"KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 - për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë", thuhet në njoftim.