Analisti Bleron Baraliu e ka cilësuar të papërgjegjshme qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e cilësuan “masë të dhunshme” ndërhyrjen e Policisë në veri për t’ua mundësuar kryetarëve të komunave veriore futjen në objektet komunale. Sipas tij, SHBA-ja “po e përkëdhel Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq”.
“Mendoj që qëndrimi i tyre është për t’u shqetësuar, jo vetëm tani, por në vazhdimësi muajve të fundit. Është qëndrim apo politikë e përkëdheljes së presidentit të Serbisë dhe politikave të tij agresore, për t’i ofruar në tryezën evropiane kundër Rusisë, por kjo s’duhet të dekurajojë si Qeverinë e Kosovës ashtu edhe qytetarët e Kosovës që me vendosmëri të zgjidhin problemin në veri të Kosovës”, ka thënë Baraliu në “Interaktiv” të KTV-së të premten në mbrëmje.
Të premten në mesditë, mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok - kanë hyrë në objektet komunale, një ditë pas betimit. Është nevojitur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale, që t’u mundësohet kryetarëve të hyjnë në objektet komunale. Situata është tensionuar dhe Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.
“Sa u përket politikave ndaj agresorëve janë dy opsione, koncesione për t’ua ofruar ato që i kërkojnë që do të siguronte qetësi të përkohshme një apo dy vjeçare dhe më pas do të ktheheshin përsëri për të kërkuar më shumë ose me vendosmëri për t’i nënshtruar dhe fyer para botës, për agresionin e tyre që të përfundojë politikë e tillë. Kjo ka vlejtur për Hitlerin, Millosheviqin dhe vlen për Putinin dhe njëjtë për Vuçiqin”, ka thënë ai.
Baraliu i ka kualifikuar “të patejkalueshme” dhe “të domosdoshme” për ekzistimin e shtetit të Kosovës, raportet me aleatët ndërkombëtar.
Megjithatë, sipas tij, “kjo s’nënkupton që Kosova duhet të nënshtrohet aty ku s’ka logjikë”.
Edhe
Vuçiqin e shqetëson armatosja e Kosovës
“Parim i demokracisë amerikane është që askush s’është mbi ligjin. Është hipokrizi që përfaqësues të DASH-it e cilësojnë tentimin për të vënë rend e ligj si ushtrim të dhunës. S’kam parë në detaje për çfarë dhune po flasin. S’kam pa as incidente të rënda. Ishin të gjitha, sa kam pa, nga huliganët duke sulmuar veturat e shtetit. Është shqetësuese dhe provokuese kur e shohin si provokim ndaj Serbisë. Me të njëjtin parim organet e rendit s’duhet të ndërhynin më 6 janar kur pati shantazh të ngjashëm ndaj Kongresit amerikan. Është në detyrën tonë, të qytetarëve, Qeverisë dhe shqiptarëve në SHBA, duke qenë se këta janë përfaqësues tanë, është në detyrën tonë që t’i hapim linjat e komunikimit dhe të ngritim vetëdijen ndaj asaj që po ndodh e të protestojmë ndaj një reagimi të tillë ishte shumë deklarim shumë i papërgjegjshëm”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se në Kosovë duhet të ketë koordinim të brendshëm politik për veprimet e ardhshme dhe më pas koordinim të gjerë ndërshqiptar, e më pas kontakt me aleatët “që t’u qartësohet se Kosova s’mund të jetë peng i shantazhit, huliganizmit e agresionit serb”.
“Duhet të bëhet e qartë se inkurajimi i Vuçiqit duke dënuar shtrirjen e rendit dhe ligjit në veri, nuk është diçka konstruktive e as produktive, por politikë e ngjashme me atë siç është udhëhequr me Millosheviqin dhe Putinin”, ka shtuar Baraliu.
-
Kryetarët e komunave në veri iu ankohen ambasadave edhe për “kontrollin nga Qeveria”
-
Maliqi: Çështja e serbëve dhe e veriut është pika që ka cenuar marrëdhënien me SHBA-në
-
Baraliu: VV-ja e ka obligim t’ia votojë opozitës një prej kandidatëve për president
-
Gërgi: Vuçiqin e mbron Radoiçiqi nga protestuesit, ka frikë se i ndodhë sikurse Millosheviqit